Ankaraja zyrtare ka marrë vendimin për të riaktivizuar një listë të madhe financimesh për qeverinë shqiptare në energji, siguri dhe mbështetje ndaj policisë shqiptare.
Burime pranë qeverisë bënë të ditur se kjo do të legjitimohet në mbledhjen e përbashkët të qeverive shqiptare dhe turke që pritet të zhvillohet në muajin e ardhshëm në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare që kryeministri turk, Binali Jilldirim do të zhvillojë në Shqipëri, i ftuar nga Edi Rama.
Gjithçka është përcaktuar dje kur Ditmir Bushati, ka premtuar gjatë një vizite zyrtare në Ankara se Tirana do të nisë procedurat për mbylljen e sekuestrimin e pasurive të organizatës FETO në Shqipëri.
Prej disa muajsh qeveria shqiptare ka ngrirë të gjitha hyrje daljet e parave nga Shqipëria, duke krijuar një depozitë nga ana e shkollave dhe universiteteve të Gylenit, të cilat kontrollohen në mënyrë strikte nga autoritetet shqiptare. Gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asnjë veprim financiar i jashtëm.
Bushati ka deklaruar dje gjatë takimit me homologun turk, Mevlud Çavushoglu se po mendohet se çdo të bëhet me administrimin e kolegjeve dhe universiteteve të Gylenit pasi krijohet një problem shumë i mprehtë social, ngaqë këto shkolla kanë pasur një nivel cilësor të admirueshëm, e që për këtë arsye tek ato ndodhet një numër i konsiderueshëm nxënësish.
Dhe mësohet që qeveria turke do t’i mbështesë direkt këto institucione të mos e humbin cilësinë por ta ngrenë më tej, e që sigurisht mos mbyllen.
Ministri i Jashëtm shqiptar, Bushati në lidhje me sturukturat FETO në Shqipëri tha se “Ne tregojmë të njëjtin qëndrim me Turqinë, e mbështesim Turqinë dhe në këtë çështje jemi të vendosur. Në kuadër të procedurës së brendshme ligjore jemi në bashkëpunim me qeverinë e Turqisë për të kapërcyer çdo pengesë”.
Pasi ka vënë në dukje se qeveria shqiptare ka dënuar pa mëdyshje menjëherë tentativën e grushtit të shtetit të 15 korrikut, Bushati shtoi se populli turk natën e tentativës së puçit është mbështetur në mënyrë të vendosur tek demokracia duke shprehur në emër të qeverisë ngushëllimet për personat që humbën jetën.
Bushati theksoi gjithashtu se mes dy vendeve ka marrëdhënie të forta dhe strategjike dhe se një Turqi e fortë është e rëndësishme jo vetëm për rajonin, por edhe për vendet e Evropës. “Fuqinë e Turqisë e kemi vërejtur në luftën kundër migracionit dhe kundër terrorizmit”, deklaroi Bushati.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Turqisë, e cila në ditët e vështira ka qenë pranë vendit të tij duke mbështetur anëtarësimin e saj në organizata si NATO. Bushati tha se nuk do t’i harrojnë asnjëherë ndihmat e ofruara nga Turqia.
Bushati rikujtoi se në takimin me Çavushoglun janë dakorduar në lidhje me zhvillimin e bashkëpunimit në çështjet si atë të energjisë, transportit, bujqësisë dhe turizmit. Ai ka theksuar se gjithashtu kanë diskutuar edhe çështjen e diasporës shqiptare duke rikujtuar se në Turqi jeton një masë e madhe e qytetarëve turq me origjinë shqiptare.
Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me strukturimin e FETO-s në Shqipëri, Bushati tha: “Në kuadër të procedurës së brendshme ligjore jemi në bashkëpunim me qeverinë e Turqisë për të kapërcyer çdo pengesë. Miku im Çavushollu e shprehu shumë qartë. Nuk ka nevojë për panik. Për sa kohë që ne jemi dy vende mike dhe vëllezër që bashkëpunojnë në çdo fushë, si ajo e energjisë, sigurisë dhe ekonomisë, ne jemi bashkë me Turqinë edhe në këtë çështje. Ne jemi krah për krah dhe pranë Turqisë”.
Shefi i diplomacisë shqiptare u prit në takim edhe nga Kryetari i Parlamentit turk, Ismail Kahraman dhe Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım).
Një audiencë të veçantë, Bushatit iu rezervua dhe nga presidenti Rexhep Taip Erdogan. /tesheshi.com/