“Përsa kohë që të ketë injorancë dhe varfëri në tokë”, shkroi Viktor Hygo, në parathënien e librit të tij “Të mjerët”, “libra si ky mund të mos jenë të padobishëm”. Përgjatë 155 vjetëve që kanë kaluar nga publikimi i parë në Francë e më pas edhe gjetkë, romani nuk e ka humbur kurrë kohshmërinë e tij – apo popullaritetin.
Rreth 65 versione kinematografike (i pari në vitin 1909) e bëjnë “Të mjerët” romanin më të përshtatur për ekranin të të gjitha kohërave. Muzikali i parë për të u ngjit në skenë në Filadelfia në janar 1863. Që prej vitit 1980, melodrama operistike e Alain Boublil and Claude-Michel Schönberg është shfaqur më shumë se 53 mijë herë në 44 vende dhe 349 qytete. Megjithatë, nga volumi bazë, përshtatësit e përkthyesit përzgjodhën elementë për punimet e tyre nga një burim tejet i madh. Në Britani, lexuesit duhet të prisnin deri në vitin 2008 për një tekst të plotë në anglisht të romanit në mënyrën që autori kishte planifikuar që ai të lexohej. Madje, edhe për admiruesit e “Të mjerëve”, sensacioni që paraqet Hygo mund të ndihet edhe si një kontinent i humbur.
David Bellos, profesor i letërsisë franceze në universitetin Princeton dhe një përkthyer me ndikim, lundron përmes pesë pjesëve të romanit, apo 48 “librave” dhe 365 kapitujve të tij me qartësi dhe qasje të shkëlqyer. Në mënyrë erudite dhe argëtuese, ai tregon sesi magjia e romanit qëndron në zhdërvjelltësinë e mendjes krijuese në shumë plane. Tipari i jashtëzakonshëm i Hygosë është se ai përcjell një “portret realist e të përpunuar” të Francës pas Napoleonit, “një roman që lexohet shpejt” mbushur plot me të paprituras dhe një demostrim i “parimeve morale bujare” që lexuesit ndjejnë se ka rëndësi e peshë edhe në kohët e sotme.
Hygo, që kishte botuar edhe “Katedralen e Parisit” dhe një superyll letrar i kohës, një dramaturg dhe romancier, e nisi për ta shkruar historinë e tij në vitin 1845. Në të përshkruhet jeta e një ish-të dënuari në një shoqëri të paepur ndaj të varfërve dhe të përjashtuarve. Rreth figurës aventuroze të Zhan Valzhanit, liruar nga burgjet në vitin 1815, për të ecur në një rrugë me ngjarjet më të çuditshme, Hygo krijon një tapet “të thurrur shumë hollë” të jetës sociale dhe rilindjes personale.
Revolucioni i vitit 1848, gjatë të cilit elementët turbullues radikalë zbuluan se ‘”koka e tij ishte e mbushur me rend”, edhe pse zemra e tij “ishte me të varfrit”, ndërpreu projektin gjigand të Hygoit. Ai e rinisi atë pasi shkrimtari në azil, i përjashtuar nga perandori Napoleoni III, u sistemua në ishullin e Kanalit në Guernsey: ai nuk ishte më një “karrierist brilant”, por “një protestues i vetmuar”.
Në mënyrë të habitshme, ishulli i izoluar i kurorës britanike”, mikpriti lindjen e një libri që fitoi zemrat dhe ndryshoi mendje në gjithë botën. Redaktimi dhe printimi i dorëshkrimit të çmuar varej nga axhenda e postës mbretërore të Viktorias dhe nga ato të linjës së trageteve të ishullit. Në vitin 1861, “marrëveshja më e madhe në historinë e librit” bëri që Hygoja të paguhej me shumën e barabartë me atë që do të merrte nga rroga e 20 vjetëve si oficer: mjaftueshëm “për të ndërtuar një hekurudhë të vogël”. Deri në fund të vitit 1862, përkthimi anglisht nga Charles Wilbour raportohej të kishte marrë “porosinë më të madhe për ndonjë libër në Amerikë”.
Përveç rivalëve letrarë të Hygoit (Aleksandër Dyma e përngjasonte librin me “llapashitje përmes baltës”), të gjithë ranë në dashuri me rrugëtimin e gjatë në rehabilitimin e Valzhanit në shoqërinë e disa personazheve që shumë shpejt hynë në foklor: vajza e rrugës, Fantina, bija e saj, Kozeta, çapkëni Gavrosh, studenti Marjus. I qethur nga deklaratat që dënojnë skllavërinë, romani madje qarkulloi në një version pirat edhe mes ushtarëve të Konfederatës, gjatë luftës civile amerikane. Në një reagim të lidhur me emrin e komandantit të tyre, ata e quajtën veten “të mjerët e Lee-së”.
Që nga trajtimi human i ish-të dënuarve e deri tek përkujdesi për fëmijët e rrugës, “Të mjerët” drejtoi apelet për reformim dhe kontribuoi në “përmirësimin e ardhshëm të shoqërisë”. Pak libra kanë ndryshuar, në të vërtetë, botën. Ky i Hygosë e bëri vërtet, shumë kohë përpara se të thyente rekordet e vënies në skenë. Në muzikalin e Hygosë, heroi ngre zërin – në një këngë që dashurohet nga garuesit e konkurseve televizive – “Sille atë në shtëpi”. Dhe tashmë, “Të mjerët” kanë zënë vend tërësisht në shtëpi.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/