Një pikturë e gjetur nga një tregtar italian i antikeve gjatë pastrimit të bodrumit të një shtëpie në Capri është një portret origjinal i pikturuar nga Pablo Picasso, kanë konstatuar ekspertët.
Pasi gjeti aksidentalisht pikturën në bodrumin e shtëpisë në vitin 1962, Luigi Lo Rosso e çoi kanavacën në shtëpi në Pompei, ku u var në murin e dhomës së ndenjes për dekadat e ardhshme, megjithëse gruaja e tij e konsideroi pikturën “të tmerrshme”, shkruan The Guardian.
Sot, besohet të jetë një portret i Dora Maar, një fotografe dhe piktore franceze, e cila ishte muza dhe e dashura e gjatë e Picasso-s. Në këndin e sipërm majtas të fotos është nënshkrimi karakteristik i artistit të famshëm, por Luigi Lo Rosso nuk e dinte këtë.
Vetëm shumë vite më vonë, kur djali i tij Andrea u interesua për pikturën, pasi zbuloi vepra të ngjashme arti në një enciklopedi të historisë së artit dhe filloi të bënte pyetje rreth tyre, familja Lo Rosso kishte dyshime dhe kërkoi këshillën e një ekip ekspertësh.
Pas disa vitesh kërkime, Cinzia Altieri, grafologe dhe anëtare e bordit shkencor të fondacionit “Arcadia”, që merret me vlerësime, restaurime dhe atribuime të veprave të artit, konfirmoi se firma në foto është autentike. Sot, vlera e asaj vepre të Picasso-s llogaritet në gjashtë milionë euro.
Pronari nuk e kishte idenë se kush ishte Picaso
Picasso shpesh qëndronte në Capri dhe piktura, e cila ka një ngjashmëri të çuditshme me të famshmen Buste de Femme (Dora Maar), besohet se është krijuar midis viteve 1930 dhe 1936.
Luigi Lo Rosso vdiq ndërkohë dhe Andrea, i cili sot është 60 vjeç, vazhdoi kërkimet.
“Babai im ishte me origjinë nga Capri dhe shpesh mblidhte të gjitha llojet e antikave, të cilat më pas i shiste për asgjë”, tregoi ai. “Ai e gjeti këtë pikturë para se të lindja unë dhe nuk e kishte idenë se kush ishte Picasso. Ai nuk ishte tepër i arsimuar. Mësova për veprat e Piçaso-s duke shfletuar një enciklopedi historike. Krahasova edhe nënshkrimin. I thosha vazhdimisht babait që i ngjante, por nuk i kushtonte rëndësi”.
Ai kontaktoi disa herë fondacionin “Picasso” në Malaga, por punonjësit e tij nuk treguan interes për të shqyrtuar pretendimet e tij, duke besuar se ato ishin të pavërteta. Fondacioni ka fjalën e fundit kur bëhet fjalë për autenticitetin e pikturës, e cila tani ndodhet në një kasafortë në Milano.
Ai pikturoi 14,000 vepra gjatë jetës së tij
Picasso vdiq në vitin 1973 dhe gjatë jetës së tij ai pikturoi më shumë se 14,000 vepra. Kjo është arsyeja pse Fondacioni merr qindra mesazhe në ditë nga njerëz që pretendojnë se kanë origjinalin.
Buste de Femme (Dora Maar) u pikturua në vitin 1938 dhe u vodh nga jahti i një sheiku saudit në vitin 1999. Ai u gjet 20 vjet më vonë.
Luca Marcante, president i fondacionit “Arcadia”, beson se mund të ketë dy versione të veprës.
“Të dyja mund të jenë origjinale”, tha Marcante për gazetën Il Giorno. “Ndoshta janë dy portrete, jo saktësisht të njëjta, por bëhet fjalë për të njëjtin subjekt që Picasso pikturoi në periudha të ndryshme (të karrierës së tij). Një gjë është e sigurt: piktura e gjetur në Capri sot ruhet në një kasafortë në Milano dhe është autentike”.
Ai njoftoi se së shpejti do t’i paraqesë provat në fondacionin “Picasso”. /tesheshi.com/