Tarifa për Rrugën e Kombit do të jetë pesë euro. Kjo bëhet e ditur nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, sipas të cilit tarifa për këtë rrugë duhej të aplikohej më herët, por për arsye të ndryshimeve ligjore ajo do të fillojë vetëm nga ky vit.
“Në fakt, kjo është përpjekja e dytë për ta dhënë Rrugën e Kombit me koncesion.
Arsyeja pse e kemi shtyrë është sepse ka pasur nevojë për disa ndryshime ligjore të rëndësishme, pasi një procedurë e tillë, në formën që ishte ligji për koncesionet, ishte e pamundur të bëhej, por më 23 mars ne do kemi hapjen e ofertave të kompanive për këtë rrugë.
Gjithçka që do fitohet do shkojë për t’i mirëmbajtur këto rrugë për t’i risjellë ato me standarde më të larta, me qëllim që tu ofrohet qytetarëve dhe ekonomisë një cilësi më e lartë.
Është folur për një tarifë rreth 5 euro për këtë rrugë, dhe besoj se tarifa që kemi vendosur për këtë segment është nën mesataren e rajonit”, ka thënë Haxhinasto.
Ai ka folur dhe për portin e Shengjinit, nëse do t’u jepet me koncesion investitorëve nga Kosova. Sipas tij, deri më tani interesim për këtë port ka pasur vetëm nga investitorë kinez e jo nga ata kosovarë.
Sa i përket hekurudhës me Kosovën, Haxhinasto ka thënë “ne një vit më parë kemi realizuar një marrëveshje midis dy ministrive, e cila parashikonte gjithashtu edhe një studim fizibiliteti edhe për lidhjen hekurudhore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe më tej kemi përgatitur një aplikim në kuadër të investimeve për Ballkanin Perëndimor, një kërkesë të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës, për të bërë një studim pra për lidhjen hekurudhore, gjë që tani e kemi futur në proces.
Por sigurisht ne kemi mjaft interesa të përbashkëta në të gjithë aspektet; planifikimit të zhvillimit të infrastrukturës, të realizimit konkret të veprave të ndryshme, por edhe të mirëmbajtjes.
Konkretisht ne kemi një arterie të rëndësishme kombëtare siç është Rruga e Kombit, të cilën ne duhet ta mirëmbajmë së bashku, ti japim jetë së bashku, pasi akoma kjo rrugë është nën kapacitetin e saj me qëllim që edhe investimi i jashtëzakonshëm që është bërë të kthehet por mbi të gjitha rruga, ky investim ti shërbejë ekonomisë, ti shërbejë, rritjes së qarkullimit, ti shërbejë të dy vendeve, shkëmbimeve midis dy vendeve që në fakt nuk ka ndodhur akoma”.