Drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha tha se nga fillimi i vitit deri në fund të shtatorit, vlera e mallrave të importuara nga Serbia arriti në 3.3 milion euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ajo vlerë ishte 328 milion euro.
Kjo do të thotë që vlera e importeve ka rënë me 99 përqind për shkak të vendosjes së taksës 100 përqind nga qeveria “Haradinaj”në nëntor.
Ajo u vendos si një masë hakmarrëse, por dhe ndërgjegjësuese njëkohësisht ndaj Serbisë, për politikat e saj anti-kosovare në arenën ndërkombëtare.
“Në drejtim të eksporteve, Kosova deri më tani ka eksportuar mallra me vlerë 13.6 milion euro në Serbi në vitin 2019, dhe 24 milion në të njëjtën periudhë në vitin 2018”, tha Berisha.
Sipas shifrave zyrtare, para futjes së taksës, të paktën 1.2 milion euro në ditë ose më shumë se 400 milion euro në vit ishte vlera e produkteve që vinin nga Serbia në tregun e Kosovës. /tesheshi.com/