Ndeshja e 8 tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë në Elbasan Arena do të sigurohet nga 1500 trupa policore.
Policia e shtetit ka sqaruar edhe një herë për publikun masat që janë marrë e do të merren deri në takimin e 8 Tetorit.
Drejtori i rendit publik, Gjovalin Loka hodhi poshtë lajmin e qarkulluar së fundmi se në ballkonet e pallateve rreth stadiumit do të vendosen forca policie. Sipas tij, në ballkone do të ketë vetëm familjarë, por “policia ka identifikuar banorët dhe nuk do të lejojë persona të tjerë në banesa”.
Ndërkaq, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Federatës shqiptare të futbollit, Ilir Shulku, nuk do të ketë organizime tifozësh serbë në ndeshjen e javës së ardhshme.
“Nuk është e vërtetë që do të ketë tifozë serbë në stadium. Bëhet fjalë për në grupim studentor nga një marrëveshje e iniciuar nga qeveria shqiptare dhe serbe në një mbledhje të organizuar në Berlin me kancelaren Merkel”, tha Shulku.
Shulku saktësoi se ka pasur afërsisht 100 mijë kërkesa për bileta nga tifozët e kombëtares. Numri I madh I kërkesave ka bërë që të ketë përzgjedhje.
“Procesi i shitjes së biletave është pikë shumë e rëndësishme e këtij procesi. Për këtë ndeshje mbajtëm të njëjtat çmime si ndeshjet e tjera. Kemi shitur online 20% të biletave, dhe me grupimet e dedikuara, që tashmë dihen që janë mbështetësit kryesorë të ekipit kombëtar, kemi ruajtur marrëdhënie konstante”, tha ai.
Grupimi i vetëm në stadium do të jetë ai i “Tifozëve Kuq e Zi” të cilët kanë përgatitur edhe një koreografi speciale për rastin. /tesheshi.com/