Rusia po merr në konsideratë nëse duhetë të bashkohet me sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj kundër ISIS në Siri. Kështu tha presidenti rus, Vladimir Putin, i cili foli pas një takimi që pati me homologun amerikan, Barack Obama në anekset e asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.
Takimi mes dy liderëve, sikundër edhe fjalimet e tyre në OKB, nënvizuan se ka ndasi të thella sesi I duhet dhënë fund konfliktit civil në Siri.
Rusia thotë se do të ishte një “gabim i stërmadh” të mos punosh me presidentin sirian, Bashar al Assad për të vendosur nën kontroll ISIS.
Por, si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe vende të tjera perëndimore këmbëngulin se presidenti Assad duhet të largohet nga skena. Në përgjigje të këtij qëndrimi, Putin tha: “Ata nuk janë qytetarë të Sirisë dhe nuk duhet të përfshihen në zgjedhjen e lidershipit të një vendi tjetër”.
Rusia, ndërkaq, do të ndërmarrë sulme ajrore vetëm nëse ato miratohen nga Kombet e Bashkuara, e në të njëjtën kohë përjashtoi vendosjen e trupave ruse në operacione tokësore në Siri.
Takimi Obama-Putin ishte i pari pas një kohe të gjatë. Dy liderët biseduan për 90 minuta e Putin e përshkroi si “shumë konstruktiv dhe të hapur”.
Korrespondentët vënë në pikëpytje qëndrimin e deritanishëm të perëndimit, nëse Obama dhe aleatët do të pranojnë që Assad të qëndrojë për të pasur bashkëpunimin rus dhe ndaljen e konfliktit në Siri, konflikt që favorizon ISIS. Manovrat diplomatike mbeten për t’u parë, por duket se ato do të vazhdojnë me intensitet. /tesheshi.com/