Votuesit në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut votojnë sot në referendumin për pavarësi, pavarësisht kërcënimeve nga Bagdadi se do të luftojë për të ruajtur unitetin e vendit.
Presidenti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, Masud Barzani, tha se votimi është hapi i parë në një proçes të gjatë për negocimin e pavarësisë së rajonit, i cili ka qenë autonom qysh në vitin 1991.
“Referendumi nuk është tërheqje kufijsh. Nuk është për të vënë status-quo në asnjë zonë. Pas referendumit, ne jemi të gatshëm të nisim procesin e një dialogu të thellë me Bagdadin”, tha Barzani.
Mbi 5.3 milionë njerëz janë të regjistruar si votues në rajon.
Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësime se referendumi do të shkaktojë trazira në zonat e diskutueshme.
Referedumi po ashtu kundërshtohet nga Turqia dhe Irani, që vetë kanë pakica të mëdha kurde.
Ministria e Jashtme e Turqisë tha sot se Ankaraja “do të ndërmarrë të gjitha masat”, në bazë të ligjit ndërkombëtar, nëse referendumi për pavarësi i kurdëve të Irakut gjeneron kërcënime ndaj sigurisë kombëtare.
Turqia tha se nuk e njeh referendumin dhe se rezultatin e tij do ta konsiderojë të pavlefshëm.
Ankaraja po ashtu akuzoi qeverinë rajonale kurde të Irakut për kërcënimin e paqes dhe të stabilitetit të Irakut dhe gjithë rajonit.
Në një fjalim televiziv të dielën, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, tha se votimi është “jokushtetues dhe kundër paqes civile”.
Abadi tha se referendumi “mund të çojë në ndarje etnuke dhe t’i ekspozojë irakianët para rreziqeve katastrofike që vetëm Zoti i di”.
Në Teheran, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Keivan Khosravi, tha se ky vend i ka ndaluar të gjitha fluturimet me rajonin kurd të Irakut, me kërkesë të qeverisë në Bagdad.
Njoftohet se presidenti iranian, Hassan Rohani, ka biseduar në telefon me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kanë rënë dakort se referendumi “do të shkaktojë kaos në rajon”.
Liderët kurdë të Irakut kanë thënë se referendumi do të zhvillohet në tri provinca që zyrtarisht përbëjnë rajonin gjysmë-autonom kurd: Dahuk, Irbil dhe Sulaimania, si dhe në disa zona fqinje.
Këto zona përfshijnë qytetet Kirkuk, Makhmour, Khanakin dhe Sinjar. /tesheshi.com/