Të paktën 7 persona kanë humbur jetën në Gjermani si pasojë e stuhisë së fuqishme “Xavier” që ka goditur verilindjen vendit, raporton “Euroneës”.
Zyrtarët e Emergjencave Civile kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona përfshirë edhe Berlinin, ndërsa njerëzit janë këshilluar të mos dalin nga shtëpitë.
Stuhia me erëra që mbërrinin shpejtësinë 115 km në orë ka zënë në befasi mijëra udhëtarë në Gjermaninë lindore dhe veriore.
Të paktën 400 pasagjerë në një tren me shpejtësi të lartë i cili po ndiqte rrugën nga Amsterdami në Berlin u evakuuan.
Edhe një aeroplan pasagjerësh i cili vinte nga Emiratet me 500 pasagjerë në bord, u përball me erërat e fuqishme, teksa po ulej në aeroport. Piloti u përpoq të mbante situatën në kontroll, pavarësisht lëkundjeve të mëdha para se të prekte tokën.
Sipas autoriteteve “Xavier” është një stuhi e kategorisë së tretë, që mund të mbërrijë edhe nivelin e katërt. Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit kanë marrë qindra telefonata për ndihmë. /tesheshi.com/