Sipas një studimi të porositur nga Fondacioni Friedrich Ebert dhe botuar të martën, rreth 70% e gjermanëve e shohin ekstremizmin e krahut të djathtë si një kërcënim të madh.
Studimi vjetor pyeti 1,750 njerëz për qëndrimet dhe perceptimet e tyre politike.
Kjo tregon se ekstremizmi i krahut të djathtë dhe ndryshimi i klimës perceptohen si kërcënimet më të mëdha nga gjermanët për momentin, me ndryshimin e klimës për të cilin ka më pak shqetësim se për ekstremizmin.
Tema e emigrimit, e cila ende luan rol pasi Gjermania pranoi një numër të madh të migrantësh pas vitit 2015, shihet si një kërcënim vetëm nga 25% e njerëzve.
Sipas Beate Kuepper nga Universiteti Niederrhein, e cila kontribuoi në studim, shoqëria është “e frikësuar dhe më e ndërgjegjshmë” nga rritja e kohëve të fundit e sulmeve terroriste të krahut të djathtë.
Studimi zbuloi se pikëpamjet e ekstremit të djathtë mbaheshin vetëm nga një përqindje shumë e vogël, veçanërisht midis njerëzve më pak të arsimuar. Ndërsa 3.2% e njerëzve me arsim të ulët i përmbaheshin mendimit të ekstremit të djathtë, vetëm 0.8% e njerëzve me një shkollë ndanin të njëjeta ide.
Ndjenja e ekstremit të djathtë ishte veçanërisht e pranishme në rajonet “ku AfD (Alternativa për Gjermaninë) ishte e suksesshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017” dhe ku jetojnë pak të huaj, tregon studimi.
“Mobilizimi politik është, megjithatë, statistikisht më i rëndësishëm sesa përqindja e ulët e të huajve,” shkruajnë studiuesit.
Njerëzit që votuan për AfD-in e djathtë gjithashtu ndiheshin politikisht më të pafuqishëm se votuesit e partive të tjera. Në përgjithësi, 28% e njerëzve besonin se nuk kishin ndonjë ndikim në atë që vendos qeveria.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se njerëzit në Gjermaninë Perëndimore kishin më pak prirje për pikëpamje populiste sesa njerëzit në Gjermaninë Lindore. Rreth 21% e njerëzve në Gjermaninë Perëndimore pajtoheshin me deklaratat populiste të paraqitura në studim, ndërsa 37% ishin dakord në Gjermaninë Lindore.
Gjermania ka përjetuar disa sulme terroriste të ekstremit të djathtë në vitet e fundit.
Në qershor 2019, një ekstremist i djathtë qëlloi Walter Luebcke , kreun e qeverisë së qytetit të Kassel, i cili kishte qenë në favor të mirëpritjes së refugjatëve.
Në tetor të po atij viti, një sulmues i armatosur u përpoq të hynte në një Sinagogë në qytetin e Halle. Kur nuk ia doli, ai qëlloi një kalimtar dhe një burrë brenda një qebaptoreje.
Në shkurt të vitit 2020, një burrë, para se të vriste nënën e tij dhe veten, vrau nëntë njerëz në Hanau, të gjithë me prejardhje apo histori emigrante. /tesheshi.com/