Shefi i diplomacisë gjermane Frannk Walter Staeinmeier ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet të miratohet urgjent dhe pa vonesa.
Në takimin e parë që ka zhvilluar me homologun e tij Ditmir Bushati, Steinmeier
tha qartë dhe prerë:
“Ajo që ndodhet në tryezë besoj është një projekt që do të kujdeset për më tepër pavarësi në sistemin e drejtësisë, premisa të besueshme antikorrupsion dhe shpresoj që ky projekt të mos mbetet në mes të rrugës, por të kalojë dhe të përmbyllet në një periudhë sa më të afërt”.
Pas kësaj ai përsëriti edhe ultimatumin se ç’ndodh nëse klasa politike shqiptare dështon në miratimin e kësaj reforme.
“Kemi një dritare mundësish deri në raportin e vjeshtës të Komisionit, që do të përcaktojë suksesin e reformave dhe nëse përcaktohet që reforma në drejtësi nuk është përmbushur, atëherë procesi nuk mund të marrë shpejtësi”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm gjerman që erdhi si i dërguar i kancelares Merkel, kërkoi reflektim nga palët politike, që të vendosin interesat e vendit mbi ato politike, ndërsa pati edhe një kritikë për debatin maxhorancë-opozitë.
“Agresiviteti në debat që vëmë re hera-herës nuk mbështet vendimmarrjen në këtë drejtim dhe do të duhet të kthehen tek çështjet që bashkojnë të dyja palët”, deklaroi Steinmeier.
Në fund një këshillë e përbashkët për qeverinë dhe opozitën.
“Për reformat nuk merr gjithmonë falenderime, madje shpesh kanë kosto që mund të reflektohen edhe në zgjedhje, por edhe në opozitë nuk vihet në pushtet duke refuzuar gjithçka. Një qeveri duhet të marrë rrisqet përkatëse për reformat, po ashtu edhe opozita nuk duhet të mendojë për avantazhet afatshkurtra, por për ato afatgjata për të mirën e vendit”, tha ai.
Nga ana e tij, ministri Bushati ka nënvizuar se është shumë e rëndësishme cilësia e reformës. “Reforma duhet të jetë e thellë në mënyrë që të mund të shërbejë si model edhe për vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Bushati./tesheshi.com/