Ka qenë i pashmangshëm largimi i Sam Allardyce-it si trajner i kombëtares së Anglisë pas asaj çka bënë të ditur dje mediat britanike në lidhje me të.
Vetëm 67 ditë ka zgjatur aventura e njeriut që e ka dashur shumë këtë detyrë. Vetëm një ndeshje ka zhvilluar Allardyce si trajner i Anglisë, atë në Sllovaki, ndaj përfaqësueses vendase, të fituar 0-1.
Një nder të madh e ka quajtur ai detyrën e mbajtur deri tani, duke thënë se ishte i zhgënjyer thellë nga ky përfundim.
Largimi ka ardhur pas një takimi me zyrtarët e lartë të federatës angleze të futbollit (FA), ndërsa ai i ka pranuar përgjegjësitë e tij.
I ashpër është treguar ish-kapiteni i përfaqësueses, Alan Shearer, që e ka quajtur Anglinë lolo të futbollit botëror.
I ngjashëm ka qenë dhe reagimi i një tjetër ish-kapiteni, Rio Ferdinand-it, që ka deklaruar, “Roli i Anglisë është bërë komik.”
Federata angleze do të vihet në kërkim të një trajneri të ri, ndërkohë që në katër takimet e ardhshme, ndaj Maltës, Sllovenisë, Skocisë dhe Spanjës, përfaqësuesen do ta drejtojë Gareth Southgate. /tesheshi.com/