Ndërsa sondazhet nxjerrin sërish fitues Ramën, si gjithë këto vite para zgjedhjeve, lokale apo të përgjithshme, Berisha ka llojin e sondazhit të tij, atë me “të thënë”.
“Në Vlorë më thanë që nga çdo tetë persona, gjashtë ishin për opozitën dhe dy për Edi Ramën. Shikoj një klimë shumë pozitive”, tha kreu i opozitës në A2 CNN.
Kujtojmë se sondazhet, më saktë Exit Poll-et e zgjedhjeve, startuan në Shqipëri me Gani Bobin e Kosovës në zgjedhjet e 2005-ës. Pas mbylljes së kutive të votimit, u parashikua rezultati që nxirrte fitues PD-në. Kjo solli dhe një irritim nga selia socialiste me TV Klan në atë kohë, organizuesi i Exit Poll-it në fjalë. Dhe doli që PD fitoi.
Nga ana tjetër, Rama thotë se qyshkur nisi të merrej me politikë, pra me zgjedhje, ka aktivizuar sondimin e oponionit gati njëherë në muaj, duke e shndërruar atë në vite në një praktike gati shkencore të parashikimit të një rezultati elektoral.
Tej sondazheve është dhe perceptimi. Rezultatet zgjedhore në Shqipëri, që nga 1991 shumica e tyre janë parandjerë në ajër se si do dalin, me shumë pak përjashtime, siç zgjedhjet për referendumin kushtetues në 1994-ën dhe Lokalet e 2007-ës. Nisur nga kjo përvojë, nuk ekziston asnjë ndjesi perceptuese se më 11 maj do ketë ndryshim pushtetesh. /tesheshi.com/