Ndonëse krerët e shtetit në vijimësi deklarohen për integrim të pjesës së veriut të vendit dhe shuarje të strukturave paralele atje, një sondazh i publikuar nga organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës tregon se qytetarët kanë mendim krejt ndryshe.
“Sipas sondazhit, 58% e qytetarëve nuk besojnë se gjykatat e veriut do të integrohen sipas Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel. Madje 60% mendojnë se kjo marrëveshje nuk do të jetë e suksesshme”, tha sot Jeta Krasniqi nga KDI-ja, ndërsa publikoi sondazhin për dialogun Kosovë – Serbi të zhvilluar nga 3 deri më 12 mars.
48 % e qytetarëve, tha ajo, janë përgjigjur me “jo” kur janë pyetur nëse janë shuar strukturat paralele.
Në këtë sondazh, qytetarët mendojnë se dialogu nuk ka ndikuar në shtrirjen e sovranitetit edhe pas 6 vjetësh takime në Bruksel.
“51% e qytetarëve kanë thënë se nuk ka ndikuar, ndërsa vetëm 4% mendojnë se ka ndikuar. Kurse rreth Asociacionit të komunave serbe, qytetarët e pyetur se cili do të jetë ndikimi i tij në raportet ndëretnike, 46.1% e tyre kanë thënë se Asociacioni do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike, ndërsa 30.8% mendojnë se raportet do të mbesin të njëjta”, tha Krasniqi.
Sipas saj në bazë të këtij sondazhi, ka mungesë të madhe të transparencës në dialog.
Krasniqi, tha se KDI rekomandon institucionet që ndërmarrin hapa për shuarjen e strukturave paralele, ngritjen e transparencës, shtrirjen e sovranitetit, e të tjera, për çka kërkoi nga institucionet t’i marrin seriozisht këto rezultate. /tesheshi.com/