Fëmijë të sëmurë që vdesin ndërsa ilaçet që do u shpëtonin jetën presin në pikëkalime, të rinj që detyrohen të mbijetojnë duke ngrënë ushqim kafshësh e gjethe, dhe familje që djegin dyshekët për të gjetur diçka që mund t’i ngrohë sadopak.
Shkollat që zhvendosen nëntokë për t’u shpëtuar bombave, atyre mbushjeve mizore, plot eksplozivë dhe pa shënjestër, që bien nga qielli dhe janë aq të pasakta, sa ka vëzhgues që thonë se përdorimi i tyre është de facto krim lufte.
Të plagosurit lihen të vdesin për shkak të mungesës së mjekimeve të duhura, anestezikëve dhe ilaçeve kundër dhimbjes; fëmijët që vdesin nga kequshqyerja e madje, edhe nga tërbimi për shkak të mungesës së vaksinave, ndërsa minat dhe snajperët presin për këdo që përpiqet të arratiset në kërkim të shpëtimit.
Këto skena nuk janë nga kampet e vdekjes së luftës së dytë botërore, apo nga gulagët sovjetikë. Ato janë realiteti jetësor për më shumë se 1 milion sirianë që jetojnë në zonat nën rrethim anekënd kombit të shpartalluar nga lufta, sipas një raporti të hartuar nga organizata “Save the Children”.
Tanya Steele, shefja ekzekutive e organizatës thotë: “Fëmijët po vdesin nga mungesa e ilaçeve në disa pjesë të Sirisë vetëm pak kilometra nga depot që janë të mbushura me ndihma. Ata po paguajnë çmimin për amullinë e botës”.
Të paktën, një çerek milioni fëmijë jetojnë në zonat nën rrethim në të gjithë Sirinë, sipas një vlerësimi që bën “Save the Children”, në kushte që organizata bamirëse i përshkruan si jetesë në kushtet e një burgu pa tela.
Raporti mbështetet mbi një seri të zgjeruar intervistimesh dhe bisedash me prindër, fëmijë, doktorë e punonjës ndihmash në terren, pikërisht në zonat e rrethuara në Siri.
Në të ilustrohet me një qartësi të ankthshme brutaliteti me të cilin po zhvillohet konflikti në Siri, pesë vjet pasi revolucioni u shndërrua në një luftë civile që ka zhvendosur nga shtëpitë gjysmën e vendit e ka vrarë më shumë se 400 mijë njerëz.
Vuajtjet e njerëzve në zonat nën rrethim në Siri janë gjithashtu një padi që i bëhet dështimit të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund krizës. Më pak se 1 për qind e këtyre njerëzve morën mbështetje ushqimore në vitin 2015 dhe më pak se 3 për qind morën kujdes shëndetësor.
Rihab, një grua që jeton në Ghouta-n lindore në afërsi të Damaskut, e që është në rrethim nga regjimit i Bashar al Assad, citohet të ketë thënë: “Frika ka kontroll mbi gjithçka. Fëmijët tashmë presin radhën e tyre për t’u vrarë. Madje edhe të rriturit jetojnë vetëm për të pritur radhën të vdesin”.
Marrëveshja e negociuar muajin e kaluar nga fuqitë e mëdha supozohej të sillte lehtësim në zonat nën rrethim, mirëpo punonjësit e ndihmës humanitare dhe aktivistët thonë se qeveria e Assad e cila është përgjegjëse për pjesën më të madhe të rrethimit të qyteteve si taktikë lufte, në vijimësi ka shkaktuar vonesë të aksesit në këto zona, e kjo në dhunim të kushteve të marrëveshjes.
Ndalimi i luftimeve për këtë arsye ka sjellë pak lehtësi në jetën e atyre që njerëzve, që sipas Médecins Sans Frontières vlerësohen të jenë 1.9 milion e që jetojnë në zonat nën rrethim dhe të izoluara ku vështirë të arrijë ndihma.
Gati të gjithë njerëzit e intervistuar nga “Save the Children”, raportuan se në komunitetet e tyre kanë vdekur fëmijë për shkak të mungesës së mjekimeve të shkaktuar nga rrethimi. Shumë prej tyre thanë se kanë shkurtuar racionet ushqimore duke mos pasur mjaftueshëm as për të ngrënë një herë në ditë, ndërsa 25 për qind thanë se ka pasur fëmijë që kanë vdekur nga mungesa e ushqimit.
Raporti dokumenton edhe tragjedi të tjera të jetës nën rrethim: rritje të dhunës seksuale, shfrytëzim të fëmijëve për punë, rritje të krimeve ordinere, dhunë dhe mbyllje të shkollave si rezultat i sulmeve ajrore dhe mungesës së mjeteve.
Ahmed, një djalë që jeton në periferinë e rrethuar të Damaskut, Douma u tha intervistuesve: “Kur dëgjoj zhurmën e një bombe apo avioni, frikësohem shumë dhe nxitoj të iki e të fshihem poshtë krevatit tim”.
Rihab thotë: “Këtu nuk ka më fëmijë. Vetëm të rritur të vegjël”. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/