Një skandal diplomatik ka ndodhur sot në Prishtinë si pasojë e një moskordinimi të strukturave protokollare të shtetit.
Një vizitë e numrit dy të qeverisë turke është menaxhuar keq dhe për pak sa nuk dështoi turi diplomatik mjaft i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Ankarasë.
Numan Kurtulmush, për disa minuta nuk ka dalë nga avioni i tij pas mbërritjes në aeroportin e Prishtinës, pasi nuk ka mbërritur eskorta e shoqërimit të policisë së Kosovës. Siç mësohet, ambasada e Ankarasë në Prishtinë është shqetësuar dhe gati ka qenë duke u marrë vendimi për rikthimin në atdhe të qeveritarit të lartë turk.
Por zv.kryeministri Kurtulmush mori vendimin të dalë pa protokoll, vetëm e vetëm që të mos i linte një njollë shtetit të Kosovës.
Edhe vetë televizioni publik i Kosovës, RTK ka bërë publik këtë fakt.
Zv/kryeministri Numan Kurtulmush, ka ardhur të vizitojë Kosovën në kuadër të shënimit të 23 Prillit, Ditës së Pakicës Turke.
Shoqërimi i qeveritarit të lartë turk është kryer me policë të qarkullimit rrugor.
Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se policia merr urdhër nga qeveria për përcjelljen e zyrtarëve të jashtëm, duke lënë të nënkuptuar se nuk e kanë pasur një gjë të tillë.
Zv/kryeministrin turk e ka pritur kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. /tesheshi.com/