Presidenti i përkohshëm i Sirisë Ahmed al-Sharaah njoftoi dje, të shtunën, formimin e një qeverie të re, pa kryeministër. Qeveria përfshin 23 ministra, duke përfshirë një grua.
Duke folur në aktivitetin për prezantimin e qeverisë së re, Ahmed al-Sharaah, i cili mori pushtetin më 8 dhjetor pas përmbysjes së presidentit Bashar al-Assad, shprehu dëshirën e tij për të ndërtuar “një shtet të fortë dhe të qëndrueshëm”.
Hind Qabawat – që i përket komunitetit të krishterë sirian – është e vetmja grua në kabinet. Ajo do të mbajë postin e ministres së Punës dhe Çështjeve Sociale
Raed al-Saleh – kreu i organizatës “Helmetat e Bardha”, një grup shpëtimtarësh që vepronin në zonat që kontrolloheshin nga kundërshtarët deri në përmbysjen e regjimit të Asadit – u emërua Ministër i Emergjencave dhe Menaxhimit të Fatkeqësive.
Ahmed al-Sharaah ka shpallur një periudhë kalimtare pesëvjeçare deri në mbajtjen e zgjedhjeve, pas përmbysjes së regjimit të Asadit që i dha fund gati 14 viteve të luftës civile në Siri. /tesheshi.com/