Mjafton një kalim përmes qytetit, në taksi apo në autobuz që të kuptosh se në qytetin malajzian, Kuching mund të të presin surpriza, sidomos nëse je një dashamirës i maceve. Kudo, gjithçka flet për felinët. Një mace e bardhë gjigande të përshëndet nga një rreth-rrotullim pranë Chinatown. Një familje macesh paksa robotike të sheh nga buza e rrugës pranë një xhamie. Mace të shndritshme qëndrojnë përreth ndërtesave në formën e artit të rrugës.
“Fiksimi i qytetit me macet rrjedh duke nisur që nga emri”, thotë Amir, punonjës në muzeumin e maceve në qytet. “Fjala ‘kucing’ do të thotë ‘mace’ në gjuhën malaj”.
Vendosur në pjesën veriore të bashkisë së qytetit, muzeumi i maceve është pa dyshim vendi më i mirë në qytet për të mësuar gjithçka për felinët, dhe marrëdhënien e tyre me këtë qytet të Borneos malajziane – një pjesë e botës që zakonisht asociohet me orangutangët.
Duke qëndruar midis një morie objektesh – që nga macet e mumifikuara egjiptiane deri tek pikturat kontemporane dhe figurinat e porcelanit – mund të gjurmosh historinë e maceve deri në 5 mijë vjet më parë. Amir tregon disa nga teoritë përse qyteti ku ai jeton ka marrë emrin mace.
Disa besojnë se kur Raxhahu i parë Sarawak, një anglez i quajtur James Brooke, mbërriti në Kuching rreth vitit 1839, ai drejtoi gishtin ndaj vendbanimit dhe pyeti sesi e kishte emrin. Një banor vendas, duke kujtuar gabimisht se ai po tregonte një mace që po kalonte aty pranë, i tha se quhej “Kucing”.
Të tjerë pretendojnë se qyteti është quajtur kështu për shkak të pemëve që rriteshin dikur në të gjithë zonën e që bënin frute të vogla të quajtuar mata kuching, ose ndryshe “fruti symace”. Teoria e fundit është se emri i pazakontë është zgjedhur kur banorët zbuluan mace me bisht të shkurtër që jetonin përgjatë brigjeve të lumit Sarawak që rrjedh përmes qytetit.
Pasi viziton muzeumin, sigurisht që kurioziteti është i madh për të mësuar më shumë mbi marrëdhënien që kanë vetë banorët e Kuching me macet.
Së pari, vizitorët mund të shohin disa nga imazhet më të famshme të maceve të qytetit. Kuching është shtëpi për një popullsi të përzier të përbërë nga malajët, kinezët dhe indianët, ashtu sikundër edhe anëtarët e tribuve lokale si Iban, Bidayuh, Orang Ulu dhe Melanau. Macet janë domethënëse për secilën prej këtyre grupimeve. Për kinezët, për shembull, ato janë simbol i fatit të mirë. Macet janë respektuar në Islam për qindra vjet. Profeti Muhamed kishte një mace të quajtur Muezza, për të cilën përkujdesej veçanërisht.
Ndërkaq, banorët e Borneos prej kohësh kanë vlerësim të madh për macet për shkak se ato i ndihmojnë të mbajnë nën kontroll minjtë. Në vitet 1950, autoritetet u përpoqën të përdorin kimikate për të luftuar mushkonjat që mbartnin malarjen dhe minjtë. Pas një ndikimi negativ të kimikateve në popullsinë e felinëve, forca ajrore mbretërore britanike parashutuan 14 mijë mace në pjesën rurale të Borneos malajziane, në një mision të njohur si “Operacioni hedhja e maceve”.
Macet janë të ngulitura shumë në popullsinë e qytetit. Në njërën nga rrugët mund të kalosh një familjeje macesh prej polieteleni që qëndrojnë në majë të një shatërvani apo të shohësh disa feline lozonjare të derdhura në bronx përgjatë vijës së ujit.
Banorët shpjegojnë se referencat ndaj maceve ekzistojnë gjithkund: studentët mësojnë në I-Mace, kolegj ndërkombëtar i teknologjisë së avancuar në Sarawak – ndërsa radioja lokale quhet Mace FM. Mund të shohësh kreshtën më të lartë në qytet në majë të një kolone të lartë: një peshore drejtësie dhe një mace e artë, me katër mace të tjera të bardha poshtë tyre. “Mund të shihet, macja është e ngulitur thellësisht në përbërjen e qytetit, që nga historiae deri tek kultura e ditëve të sotme”.
Në fund të një turi në qytet, vizitorët mund të ndjejnë habi teksa nuk kanë parë ende një mace reale. Për këtë duhet të futesh pak më thellë rrugicave, ose mund të shkosh në një kafene lokale, që mban po ashtu një emër domethënës, kafeneja Mjau-Mjau.
Pronarja e kafenesë, Xhaneta thotë se e ndjeu të nevojshme ta hapte këtë kafe për macet në mënyrë që të ndihmonte banorët që nuk kanë mundësi të mbajnë një kafshë në shtëpi.
“Aktualisht, kemi 6 mace këtu nga rraca të ndryshme”, thotë ajo.
Klientët e kafenesë nuk kanë nevojë për shpjegime: një vajzë e ulur në divan së bashku me një mace të shpupurisur të bardhë, pranë saj në shesh një burrë luan me një Suria, një mace Bengali me një pamje mbretërore, dhe një çift i ri që hedh topin për një mace me sytë e mëdhenj persianë.
Nuk ka rëndësi nëse beson apo jo se macet sjellin fat apo kanë kuptime shpirtërore. Mjafton t’i shohësh në këtë qytet dhe koncepti ndryshon.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/