Këngëtari i njohur shkodran Sidrit Bejleri, njëherësh besimtar musliman, kujtoi humbjen e të bijës së mitur vite më parë, fëmijë i parë, duke patur më pas tre fëimijë të tjerë.
“Ne duam t’i rritim me idenë që kanë pasur edhe një motër më të madhe. Sepse duhet kuptuar që jeta është e çuditshme, jeta të vë para sprovave që ti nuk i mendon kurrë. Ti mendon se do të jesh gjithmonë një vëzhgues i papërfshirë, por kur je brenda pastaj thua ‘pse më ndodhi mua?’. Ja që ndodh, por duhet të dish të reagosh”, tha ai në një emision në TCH.
Për të, ndarja nga jeta e Sofisë ishte një sprovë dhe provë tjetër që e fuqizoi raportin e Sidritit me Zotin.
“Unë dhe Meri (bashkëshortja), kështu na kanë thënë të paktën, kemi qenë model edhe për të tjerët që kanë kaluar të tilla sprova, për mënyrën se si reaguam. Zoti na e dha atë forcë, kuptohet. Ndoshta në një moment të duket sikur nuk po del nga ajo vorbulla, por të vijnë disa gjëra që të qartësojnë, ta heqin mjegullën që të ka rrethuar dhe arrin të kuptosh pse kam ardhur këtu. Kam ardhur dhe nuk jam pyetur, kam ardhur dhe më është dhënë mundësia t’i jap vazhdimësi jetës.
Pastaj (Zoti) na dha Amadin, Emelin, na dha Ejnën. Ja ku jemi prapë pesë, e kujtojmë atë. Zoti na bashkoftë me të në xhenet”. /tesheshi.com/