Nga Blerim Kore
Këtë viti shënohet 107 vjetori i njerës prej ngjarjeve historike e cila do të linte gjurmë në historinë e vendit tonë. Para me shumw se një shekulli, në 18 Mars 1908, çeta e kapedan Çerçiz Topullit do të zhvillonte në fshatin Mashkullorë të rrethit të Gjirokastrës një ndër betejat me të ashpra të shekullit të kaluar kundër turqve.
Lufta e Mashkullorës do të ishte ndër ngjarjet më të spikatuar të rezistencës patriotike shqiptare të viteve 1908-1910, të cilat do t`i paraprinin Shpalljes së Pavarësisë së vendit. Lufta e Mashkullorës do të pasonte aktin heroik të dy pjestarëve të kësaj çete, patriotëve Hito Lekdushi dhe Bajram Ligu të cilët në 13 mars 1908 në një atentat të mirëorganizuar do të vrisnin bimbashin turk të Gjirokastrës.
Pesë ditë më vonë, çeta e Çerçiz Topullit e përbërë nga 9 vetë do të arrinte të përballonte e strehuar në një haur në rrethinat e fshatit Mashkullorë taboret turke. Një ndër penat më të shquara të publiçistikës patriotike të atyre viteve dhe njëkohësisht pjestar i kësaj çete, Mihal Grameno, do të përcillte deri tek ne një përshkrim të kësaj lufte, duke shkrirë në një informacionin historik me përjetimin patrotik dhe romantik të kësaj ngjarje.
“Do të përpiqem me sa është e mundur që të përmbledh me pak fjalë ngjarjet e kësaj lufte, e cila ka për të mbetur e paharruar dhe historike, në historinë e ringjalljes së Shqipërisë, se trimëri e kësaj lufte do të mbetet shëmbull për pritmjen, se u nderuan armët e Shqipërisë si në kohët e Skënderbeut”, shkruan Gramenoja në librin e tij “ Kryengritja shqiptare” të botuar në vitin 1921 në Vlorë.
Ndërsa pas vrasjes së bimbashit turk të Gjirokastrës, çeta e Çerçiz Topullit ishte strehuar një një shtëpi gjirokastrite, një informator do t`i spiunonte ata tek garnizoni turk i Gjirokastrës. Duke u gdhirë data 18 mars, rreth 150 ushtarë të këtij garnizoni do të tentonin të kapnin në rrethim pjestarët e çetës. Por duket se kjo përpjekje u pikas në kohë nga çeta e Çerçiz Topullit çka bëri që luftëtarët e saj të largoheshin menjëherë nga qyteti për në zonën e fshatrave përreth.
“Kur po shkonim me nxitim në përrua përnjëherësh dëgjuam buçimën e trumbetës dhe me vrap zunë plumat të na shkojnë përmbiu krye, duke fërshëllitur! Ah ! Ishte një çast që nuk mund ta tregoj dot !”, shkruan Mihal Gramenoja në “Kryengritja shqiptare”.
”Gjithë kësisoj edhe vërshëllima e pushkëve që vinte si breshëri përmbi krye, vazhdon ai rrëfimin për Luftën e Mashkullorës, na shurdhonte veshët, po duke i dhënë shoku-shokut kurajo edhe duke rënë ku këtu ku atje, u mësuam edhe nuk na bënte ndënjë përshtypje !”.
Pas disa orësh ndjekje nga forcat turke çeta do të përgatitej për luftë duke u strehuar në haurin e Abaz Çanos, në rrethinat e fshatit Mashkullorë.
“Ushtarët duke u rrëzuar që përpjetë, na e prenë udhën edhe do të na kishin vrarë që të gjithëve po të mos ishin Çerçizi me Asllanin të cilët me të shpejtë nga këmbët, nxitonin edhe mundën të zënë një haur të rrëzuar, ku vetëm gurët kishin mbetur. Që atje me vrap u hapëm zjarr ushtarëve, duke shtrirë dy prej tyre kështu që ua premë hovin e sulmin dhe kësisoj mundëm të arrimë edhe ne gjer atje”, shkruan Gramenoja.
Në këtë haur gjysmë të rrënuar trimat e çetës së Çerçiz Topullit do të luftonin gjatë gjithë ditës duke u rezistuar forcave turke. “Plumbat na vinin me breshëri po ne qëndronim si ca statute në vendet tona dhe u përgjigjeshim me plumba, po duke qëlluar edhe me këngë kombëtare”, shkruan Gramenoja për historinë e kësaj beteje.
Gjatë kësaj lufte do të humbiste jetën luftëtari Hajredin Tremishti ndërkohë që do të plagosej edhe një tjetër pjestar i çetës. Ndërkohë në këtë beteje do të vritej edhe informatori i cili iu tregoi turqve vendin se ku ishte strehuar çeta pas vrasjes së bimbashit turk të Gjirokastrës. Pas gati 15 orë rezitence, duke përfituar edhe nga errësira e mbrëmjes, çeta do të tërhiqej për në pjesën e sipërme të fshatit Mashkullorë, në drejtim të Malit të Gjerë.
“Duhej që të mos ndodhesha unë që të merrja anë në Luftën e Mashkullorës se fuqia ime është e dobët për ta përshkruar e zografisur ashtu sikundër ngjajti. Duhej pendë historiografi të sosur, duhej penda e një mjeshtri të vërtetë, duhej të ndodhej një shkenctar ushtarak dhe duhej që të ndodhej një këqyrës i luftës se vetëm atëherë do të përshkruanin të vërtetën”, shkruan patrioti Mihal Grameno për këtë ngjarje duke vijuar se: vetëm e vetëm këta do të mundnin që të përshkuanin dhe zografisnin hollësisht këtë luftë, e cila meriton një histori të tërë, se vetëm atëherë do të mësonte dhe kuptonte pritmja e kombit tënë, që qysh të dinin të mbushnin detyrën e tyre për atdhenë, duke luftuar, si qëmoti për tu lënë bijve të tyre lirinë dhe flamurin e shenjtë që të valonjë përmbi Shqipërinë”.
Atentatorët e bimbashit turk
Në 13 mars të vitit 1908, në rrugën që përshkon lagjen Hazmurat në qytetin e Gjirokastrës, dy pjestarë e çetës së Çerçiz Topullit, Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi, do të vrisnin në një atentat të mirëorganizuar nga kjo çetë bimbashin turk të Gjirokastrës.
Edhe në vitin 1906 pjestarë të çetës së Çerçiz Topullit kishin vrarë mitropolitin grek të Korçës si shkak të veprimtarisë së tij antishqiptare.
Sipas dëshmive historike, të dy partriotët Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi, do të zbatonin kështu një vendim të “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”, i cili vepronte në atë vite në Jug të vendit, që e kishte dënuar me vdekje bimbashin turk të Gjirokastrës.
Lufta e Mashkullorës në këngët popullore dhe krijimtarinë e përpunuar
Gjatë këtyre 107 viteve, historia e Luftës së Mashkullorës dhe patriotëve pjesmarrës në të ka qenë motiv i preferuar jo vetëm për këngët popullore, veçanërisht ato polifonike por edhe për artin e përpunuar. Tashmë është bërë e famshme kënga te “Rrapi në Mashkullorë / foli Çerçizi me gojë / mylazim largo taborë / se të bëj të kuq me bojë / Çerçiz Topulli më thonë”.
Ndërkohë në vitin 1934, Skulptori i Popullit Odhise Paskali do të derdhte në bronz monumentin e Çerçiz Topullit i cili në vitin 1937, kur eshtrat e tij do të rivaroseshin në Gjirokastër, u vendos në qendër të sheshit kryesor të qytetit që sot mban emrin e tij. Një shumë prej 3 mijë napolona flori do të grumbullonin qytetarët gjirokastritë për të përballuar financiarisht ngritjen e kësaj vepre duke përjetësuar kështu në bronx kujtimin e djalit të Topullarajve.
Në këtë inisiativë do të kontribuonin financiarisht banorët e qytetit, tregëtarët dhe zejtarët e Pazarit si dhe mjaft gjirokastritë të cilët kishin emigruar në Amerikë. Ditën e inagurimit të monumentit të Çerçizit, emrat e tyre ishin shkruar në lista të gjatë të cilat ishin ngjitur në pjedestalin e mermertë ku ishte vendosur monumenti i bronxtë. Në vitin 1972 skulptorët Koço Beruka dhe Ksenofon Kostaqi do të ishin autorë të bazorelievit në bronz “Çeta e Çerçiz Topullit” i cili ngrihet në qendër të fshatit Mashkullorë. Në vitin 1977 shkrimtari Thanas Dino do të vendoste ne skenën e Teatrit të Gjirokastrës dramën “Burrat e lirisë”, motivet e se cilës bazohen mbi historinë dhe ngjarjet e Luftës së Mashkullorës. Në vitin 1978 do të realizohej filmi epik “Liri a vdekje”, i cili edhe sot vazhdon të ndiqet me kërshëri dhe emocion nga shikuesit e moshave të ndryshme. /tesheshi.com/