Abuzimi gjatë fëmijërisë mund të lërë plagë afatgjata, të dëmtojë perceptimin tonë të botës dhe ta vërë trurin tonë në një gjendje vetë-shkatërrimi, tregon një studim australian.
Marrëdhëniet që zhvillojmë në moshë të hershme na ndihmojnë që të zhvillohemi, por nëse janë shkatërruese, ato mund të ndikojnë negativisht në pjesën tjetër të jetës sonë.
Hulumtimet kanë treguar se traumat gjatë fëmijërisë, abuzimi seksual, divorci i prindërve dhe alkoolizmi në shtëpi rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sulmin në tru, depresionin dhe diabetin në vitet e mëvonshme.
Përveç kësaj, trauma rrit rrezikun e pirjes së duhanit, ndërrimin e shpeshtë të partnerëve dhe ndikon në shkurtimin e jetëgjatësisë.
Hulumtimet kanë treguar se ata persona që kishin gjashtë ose më shumë përvoja negative si fëmijë, kanë vdekur afro 20 vjet më herët se ata që nuk kishin trauma.
Gjithashtu, fëmijët e traumatizuar shpesh nuk kanë besim tek njerëzit e tjerë, kryesisht për shkak se janë tradhtuar nga të rriturit atëherë kur është dashur t’i ruajnë dhe mbrojnë ata, thotë Grupi Australian për mbështetjen e personave të keqtrajtuar Blue Knot Foundation.
Një studim i kryer në më shumë se 21,000 njerëz të moshës 60 vjeç e lart, të cilët u abuzuan në fëmijëri treguan një normë më të lartë të martesave ose marrëdhënieve të thyera dhe personat e këtillë zakonisht thonë se nuk janë “shumë të lumtur” ose “aspak të lumtur”.
Problemet e tjera me të cilat ballafaqohen fëmijët e traumatizuar janë depresioni, ankthi, droga, alkooli, varësia ndaj kumarit dhe mungesa e vetëbesimit. /tesheshi.com/