Diplomati kroat dhe jugosllav Budimir Lonçar vdiq të dielën në vendlindjen e tij Prek në ishullin Ugljan, raporton agjencia Hina, duke cituar mediat kroate.
Lonçar u gjet i vdekur në det pasdite, pas së cilës dëshmitarët okularë thirrën menjëherë ambulancën dhe policinë.
Vdekjen e Lonçarit e ka konfirmuar në profilin e tij në Facebook historiani Tvrtko Jakovina.
“Budimir Lonçar, diplomat, partizan, burrë shteti botëror, miku im, vdiq sot në Prek, vendi ku lindi më 1 prill 1924”, shkruan Jakovina.
Kush ishte Budimir Lonçar?
Lonçar lindi në vitin 1924 në Prek të ishullit Ugljan. Në Luftën e Dytë Botërore u bashkua me partizanët dhe në fund të luftës në vitin 1945 u bashkua me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe u transferua në Zagreb, ku punoi në Ministrinë e Brendshme deri në vitin 1949. Më pas kaloi në Beograd, ku u trajnua si diplomat dhe filloi punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Një vit më pas, ai u bë konsull dhe këshilltar i misionit jugosllav në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ku qëndroi deri në vitin 1956. Ai shërbeu si ambasador jugosllav në Indonezi, Gjermaninë Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ishte ministri i fundit i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë nga fundi i vitit 1987 deri në dhjetor 1991.
Në vitin 1993, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, e emëroi atë si të dërguarin special të organizatës për Lëvizjen e të Paangazhuarve.
Ai punoi si këshilltar i dy presidentëve kroatë, Stipe Mesiç nga 2000 deri në 2010 dhe Ivo Josipović nga 2010 deri në 2015.
Ai këtë vit festoi 100-vjetorin e lindjes. /tesheshi.com/