Ka disa lojtarë të Kosovës që shkëlqejnë në futbollin gjerman, si në nivelin kombëtar ashtu edhe në ekipe. Sukseset e tyre kanë kthyer kokën edhe kah vet Kosova, loja e së cilës në kualifikimet për Euro 2020 ka marrë vëmendje të madhe në mbarë Evropën.
Gazeta prestigjioze Frankfurt Allgemeine Zeitung (FAZ) ka shkruar një artikull ku thotë se rrëfimi i ekipit të Kosovës është shumë më i madh se i “outsider-ëve” që janë kualifikuar në kampionatin paraprak.
Sukseset e Kosovës në futboll, thotë FAZ, përcillen shpesh me një “prapavijë problemesh” që e shoqërojnë vendin, si mosnjohja nga të gjitha vendet e Evropës.
Për FAZ, një talent i padiskutueshëm që i ka dhënë më shumë shije sportit është edhe i riu nga Kosova Milot Rashica, i cili po vlerësohet nga ekipi i Verder Bremenit, dhe në anën tjetër, është shndërruar në figurë model për të rinjtë e kombëtares së Kosovës.
Rezultatet e mëdha nga një vend i vogël reflektojnë edhe në statusin e vendit, thotë më tej komenti, duke u hedhur edhe te suksesi i një tjetër sportisteje të suksesshme në botë, Majlinda Kelmendi.
Gazeta gjermane nënvizon rrezikun nga provokimet politike që vijnë nga matanë kufirit, si nga toka ashtu edhe nga ajri, duke iu referuar një mbishkrimi me dron ku shkruhej “Kosova është Serbi”. /tesheshi.com/