Kostoja e jetesës në Shqipëri, vit pas viti sa vjen e bëhet më e shtrenjtë, ndonëse qeveritarët publikojnë lloj-lloj “raportesh” për renditjen e Shqipërisë në vende me mirëqenie të lartë, krahasuar me vendet e tjera. Duke u krahasuar me një vit më parë, shqiptarët kanë shpenzuar për ushqime 1.9 % më shumë para në muaj. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2015 shpenzimet mujore për konsum të familjeve ishin mesatarisht 70.766 lekë në muaj dhe kjo shifër tashmë është rritur. Megjithatë, këto të dhëna i janë referuar inflacionit, pra rritjes së çmimeve, dhe jo mirëqenies në tërësi.
“Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet e familjeve për konsum janë rritur me 1.9 për qind. Por, kjo nuk do të thotë se familjet shqiptare kanë konsumuar më shumë. Rritja e shpenzimeve e dalë nga kjo anketë është rezultat i rritjes së çmimeve. Nëse shikon inflacioni dhe rritjen në vlerë të shpenzimeve janë gati njësoj. Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta për konsum në rang vendi. Një familje mesatarisht në Tiranë shpenzon 81 mijë e 710 lekë. Qarqet me shpenzimet më të ulëta janë Elbasani me 55 mijë e 670 lekë dhe Vlora me 51 mijë e 190 lekë në muaj”, tha drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj.
Një tjetër e dhënë e këtij anketimi është fakti se ka një rënie të shpenzimeve për arsim dhe shëndetësinë nga buxheti familjar, krahasuar me vitin 2014.
Gati gjysma e buxhetit për konsum të familjeve shqiptare shpenzohet tek ushqimet dhe sipas INSTAT pesha që zënë ushqimet në konsumin e familjeve u rrit me gati 5 për qind krahasuar me 2014-ën. Anketimi i INSTAT-it është kryer në 7335 familje të shpërndara në të gjithë vendin./tesheshi.com