Pas akuzave të rënda që i janë bërë Donald Lu-së nga kryeprokurori Adriatik Llalla, por edhe nga qarqe të lidhura politikisht që kanë kundërshtuar reformën në drejtësi, shqiptarët kanë dhënë një përgjigje të fortë në mbrojtje të kryediplomatit amerikan në Tiranë.
Në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Facebook ka patur një referendum të vërtetë përkrahjeje, që shtohet çdo moment.
Një lumë pëlqimesh, shpërndarjesh dhe komentesh, të cilat kanë bërë që postimi i ambasadës me shprehjen “SHBA nuk dorëzohet” të kthehet në lajtmotivin e ditës.
Sipas një vëzhgimi, deri në orën 00:00 të ditës së sotme, në postimin e ambasadës ka pasur 5400 pëlqime, 911 shpërndarje, dhe gati 671 komente në mbështetje të ambasadorit amerikan në Tiranë.
Ajo që bie në sy është se të gjitha komentet janë me llogari Facebook-u të identifikuara me emër dhe mbiemër. Krejt ndryshe nga ata të cilët e sulmojnë, që janë përgjithësisht anonimë dhe me adresa Facebook-u të rreme.
Ja ç’shkruan një qytetar që identifikohet qartësisht: “Z. Ambasador, kjo do jete lufte sh. e eger….mos hezitoni te therisni edhe nen arme po te jete nevoja bijte me te mire te ketij vendi per te mbrojtur te ardhmen e femijeve dhe demokracine ne kete vend te pushtuar…..Faleminderit Zoti ju bekofte ju Zoti e bekofte Ameriken,Zoti e bekofte Shqiperine.”
Ndërkaq, një intelektual i njohur në vend, Bujar Kokonozi, i cili njihet si person jo i ndikuar nga politika, hap serinë e komenteve:
“Respekt per amb. Donald Lu. Ti kundervihesh njerezve qe LIGJIN duhet ta zbatojne te paret per pozicionet qe mbajne eshte MBIVLERE.
Turpi i mbetet asaj pjese te politikes shqiptare qe bejne kompromise me keta njerez te pacipe per interesa te tyre.” /tesheshi.com/