Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i tha Zërit të Amerikës pak pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë se ky ishte hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve ekonomike dhe drejt marrëveshjes finale.
Kryeministër Hoti na flisni pak për marrëveshjen që u nënshkrua dhe gjithashtu a janë cekur tema tjera sidomos politike në këtë takim.
Mendoj që është një ditë e madhe, shumë e rëndësishme për Kosovën dhe regjionin. Marrëveshja ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes dy vendeve dhe me mbështetje të projekteve të mëdha infrastrukturore që i lidhin më mirë ekonomitë e dy vendeve, që krijon qasje më të mirë në rajon dhe Evropë, që krijojnë qindra mijëra vende të reja të punës në të dy vendet dhe përtej dy vendeve në mbarë regjionin.
Unë dëshiroj që të falënderoj administratën amerikane për mbështetjen e fuqishme, një lajm shumë i mirë për Kosovën që është pjesë e marrëveshjes.
Unë tash sapo kreva diskutimet e nevojshme dhe presim që të marrim shpejt njohjen nga Izraeli edhe të vendosim marrëdhënie të shpejta diplomatike edhe bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve.
Unë besoj që kjo është një arritje shumë e madhe me ndihmën e SHBA-së. Në këtë shtëpi tepër të rëndësishme dhe të shenjtë për Kosovën dhe shqiptarët janë arritur gjithmonë marrëveshje të mira edhe kësaj radhe marrëveshja i hap rrugë normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë deri te njohja reciproke, pra kjo është qasja që kemi ndjekur dhe na është kërkuar nga presidenti Trump dhe ekipi i tij i shkëlqyeshëm që e kanë shtyrë këtë marrëveshje.
Kur thoni që i hap rrugë, atëherë çfarë është ndryshe në anën politike sot që nuk ishte dje dhe çfarë u bë lidhur me temat e diskutuara dje për njohjen e ndërsjellë?
Sot është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve ekonomike dhe drejt marrëveshje finale. Kjo e sotmja nuk është marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë. Është një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në mes të vendeve, por unë e shoh dhe gjithë ne bashkë e shohim si një hap të madh duke përafruar marrëveshjen finale që është njohja reciproke. Unë e thash edhe publikisht këtë çështje, për neve nënkupton një arritje të madhe drejt finalizimit të marrëveshjes me Serbinë.
Çfarë ndodhi me atë pikën që bënte fjalë për njohjen e ndërsjelltë, u la për një kohë të mëpasme, si do të vazhdojnë bisedimet?
Bisedimet sigurisht do të vazhdojnë dhe të hënën do të jem në Bruksel pra në takim me presidentit Vuçiç për të diskutuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke. /VOA/