Në Kosovë ka shpërthyer afera “PRONTO 2”, e përgjimeve ku protagonist të saj janë krerët më të lartë të PDK-së, duke nisur nga kreu aktual Kadri Veseli, ish kreu Hashim Thaçi, kreytari i grupit parlamentar Adem Grabovci, ky i fundit sërish në rolin e “shefit të shefave”, ku është akteri kryesorë.
Portali kosovar Insajder-i ka siguruar biseda të përgjuara të drejtuesve të PDK-së, në të cilat përgjime tregohet qartë se si kjo parti ka kapur shtetin në të gjitha fushat.
Njeriu që mban gjallë fuqinë në prapaskenë të PDK-së së pushtetshme është Adem Grabovci, gjë që e tregojnë përgjimet telefonike, pasi ai koordinon të gjitha aktivitet e paligjshme të partisë.
Grabovcit i luten të gjithë për kryerjen e favoreve. Ai iu nënshtrohet vetëm dy vetave: Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai punëson qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.
Grabovci, heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme.
Përveç kësaj, Grabovci punëson njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit. Kërkesa të shumta për ta takuar Grabovcin bën Haxhi Dërguti, atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Aktualisht, Dërguti është kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.
Gjithë këto veprime, Grabovci i bën me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, president i Kosovës të cilin e quan “shef”.
Ndikimi i njerëzve të përgjuar shtrihet mbi secilin institucion të Kosovës, përfshirë pushtetet e pavarura. Ai ka ndikim mbi sistemin gjyqësor, atë prokurorial, mbi Policinë e Kosovës, mbi media siç është Televizioni Publik, disa gazeta ditore, mbi një televizion privat dhe mbi shumë gazetarë.
Grupi i tij politik kontrollon Universitetet, zgjedh për anëtarë bordesh zyrtarë të lartë partiakë si dhe cakton udhëheqës të këtyre institucioneve.
/tesheshi.com/