Ministria e Kulturës kërkon hapësira për ansamblin shtetëror shqiptar të jetë në Shkup, kurse sekretari Aziri thotë se përkohësisht vendi është në Tetovë.
13 ansamble të këngëve dhe valleve popullore shqiptare nga Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari dhe Struga, kërkojnë që ansamblit shtetëror shqiptar, formimi i të cilit pritet së shpejti të kalojë në qeveri, ta ketë selinë në Shkup dhe jo në Tetovë, siç ka paralajmëruar Ministria e Kulturës.
Sipas përfaqësuesit të ansambleve, Dritan Ramadani, ka plot arsye pse ansambli duhet të jetë në Shkup.
“Për të qenë i kompletuar ky institucion, vlerësojmë që selia e këtij ansambli duhet të jetë në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup, ashtu siç janë Ansambli shtetëror në Tiranë dhe Ansambli kombëtar në Prishtinë. Vlerësojmë se në këtë institucion duhen të përfshihen artistë që me profesionalizmin e tyre kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimit të këngëve dhe valleve shqipe vite me radhë. Shpresojmë që iniciatorët e themelimit të këtij ansambli do të marrin parasysh kërkesën e artistëve që veprojnë në ansamblet e lartpërmendura– tha Ramdani.
Ata apelojnë deri te themeluesi i këtij institucioni, Valmir Aziri, që ta merr parasysh kërkesën e artistëve. Nga Ministria e Kulturës në një njoftim me shkrim, mohojnë zërat se Ansambli shtetëror shqiptar mund të ketë adresë ndonjë qytet tjetër përveç Shkupit. Nga ky institucion thonë se gjatë javës që vjen qeveria pritet të miratojë vendimin përfundimtar.
“Ky institucion, adresën e themelimit dhe të veprimit të tij do ta ketë në qytetin e Shkupit. Është çështje ditësh kur do të vendoset për adresën e saktë pasi Ministria e Kulturës në bashkëbisedim me disa institucione është duke kërkuar hapësirën më të mirë ku do ta vendoste Ansamblin e ri”– thonë nga ky dikaster.
Nga ana tjetër, sekretari i Ministrisë së Kulturës Valmir Aziri thotë se është më praktike që ky ansambël të funksionojë në Pallatin e kulturës në Tetovë pasi që në Shkup nuk ka objekt të veçantë, por se kjo do të jetë vetëm përkohësisht.
“Kemi vendosur që fillimisht ansambli të jetë në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Të kemi si adresë të përkohshme derisa të vendosim se ku përfundimisht ky ansambël do të jetë dhe do të ushtrojë veprimtarinë e vet”, tha Sekretari i Ministrisë së Kulturës.
Buxheti i parë vjetor për ansamblin shtetëror shqiptar për rrogat, investimet në kostumografi, instrumente dhe në pjesët praktike është përafërsisht 800 mijë euro.
Ansamblet shqiptare veprimtarinë e deritanishme për ruajtjen dhe kultivimin e traditave shqiptare e kanë zhvilluar me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së hapësirave dhe të mjeteve financiare. Aktualisht vetëm se shoqëria TANEC ka statusin e ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve. /tesheshi.com/