Gjashtë nga 11 të dyshuarit shqiptarë të Maqedonisë të akuzuar për rekturim individësh për t’i çuar ata drejt fronteve të luftës në Siri, gjatë seancës gjyqësore të së premtes e kanë pranuar fajin e tyre.
Pas pranimit të fajit, gjykata i udhëzoi ata te Prokuroria që të merren vesh rreth dënimit të tyre; dhe nëse kjo gjë nuk ndodh, do të mbahet një seancë e re gjyqësore për vlerësimin e aktvendimit akuzues.
Aksioni “Celula” ku ata u arrestuan, u realizua më 6 gusht të vitit të kaluar, ndërsa sipas informacioneve që kishte publikuar Ministria e Punëve të Brendshme, Shkupi ka qenë bastion kryesor i personave, ku nga Maqedonia janë organizuar dhe rekrutuar ushtarë në formacionet paramilitare të huaja.
Në mesin e të akuzuarve ndodhet edhe hoxha i njohur i Shkupit, Rexhep Memishi, i cili akuzohet për organizimin dhe përgatitjen e personave për t’u nisur drejtë Sirisë, duke bërë indoktrinimin e tyre përmes fjalimeve fetare dhe nacionaliste.
Ndërkaq kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Reis Sulejman ef. Rexhepi në një intervistë dhënë portalit tesheshi.com kishte deklaruar se fatkeqësisht edhe besimtarë nga Maqedonia dhe rajoni janë involvuar në luftën e Sirisë, ku në mesin e tyre ka një numër të madh viktimash.
Sipas efendi Rexhepit, lufta në Siri nuk është e jona, andaj, ai ka porositur djemt e ri që të kthehen pranë familjes dhe të ndërtojnë ardhmërinë e tyre.
Përndryshe, BFI ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për ndërgjegjësimin e popullatës shqiptare për konfliktet në disa nga shtetet arabe. /tesheshi.com/