Bëhet akoma më tragjik bilanci i viktimave të një anije të tejmbushur me refugjatë e të mbytur, që qe nisur nga Egjipti drejt Italisë dy ditë më parë.
Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 148 trupa refugjatësh, sipas raportimit të sotëm të agjencisë shtetërore të lajmeve MENA.
Të mbijetuarit janë 163, të shpëtuar nga forcat ushtarake, ndërkohë që operacionet e shpëtimit vijojnë ende në Mesdhe.
Numri i viktimave pritet të rritet, pasi ekipet e shpëtimit po kërkojnë në hambarin e anijes, që dëshmitarët thonë se ka patur mbi 100 njerëz brenda.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin bëri të ditur se shumica e të shpëtuarve ishin egjiptianë, por kishte gjithashtu dhe persona nga Sudani e Eritrea, si dhe një sirian e një etiopian.
Autoritetet egjiptiane arrestuan ditën e djeshme katër persona të dyshuar si trafikantë e që kanë lidhje me ngjarjen. /tesheshi.com/