Nga Bashkim Kastrati
Mësimdhënësit e Kosovës mund të hyjnë në grevë në fillim të muajit tetor. Ata kanë paralajmëruar këtë gjë si shprehje e pakënaqësisë në lidhje me mosmiratimin e ligjit për dhënien e kontributeve për mësimdhënësit të cilët kanë punuar në periudhën më të vështirë të okupimit, 1990-1999.
Por ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se miratimi i këtij ligji ka implikime të mëdha buxhetore dhe nuk mund që të miratohet.
Ai gjithashtu zgjidhi një mënyrë thumbuese për t’i frenuar në kërkesën e tyre në emër të ndërgjegjes, duke thënë se mësimdhënësit e atyre viteve nuk kanë nevojë për dekorata.
“Ka qenë prioritet i MASHT-it dhe ne e kemi bërë ligjin, është në vlerësim financiar dhe uroj që të gjendet kostoja financiare. Por më shumë se përfitimet materiale, ky ligj ka efektet morale. Ky ka qenë një projekt i rezistencës kombëtare ku mësimdhënësit e kanë luajtur rolin që duhet ta kenë luajtur,” vlerësoi Bajrami.
Bajrami theksoi se kontributi që kanë dhënë këta mësues si pjesë e rezistencës kombëtare duhet të njihet por jo domosdoshmërisht të dekorohet.
“Nuk ka pasur alternativë tjetër për neve si mësimdhënës përpos që të punojmë edhe në kushte të vështira dhe natyrisht ne kemi të drejtë të kërkojmë që puna jonë të vlerësohet, por jo të marrim tash shpërblime dhe dekorata sepse ka qenë pjesë e rezistencës kombëtare, nuk kemi pasur zgjidhje tjetër,” konstatoi ai.
Por pas këtyre deklaratave, kanë reaguar drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Ata i kanë quajtur këto deklarata të pamatura, ndërsa kanë thënë se mësimdhënësit që nuk e kanë braktisur punën e tyre gjatë asaj periudhe të vështirë kohore meritojnë më shumë se sa dekorata.
Sipas SBASHK-ut, nëse Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk ua plotëson kërkesat, ata do të futën në grevë, duke bojkotuar procesin mësimor qysh në fillim të muajit tetor dhe janë shprehur të vendosur për këto veprime.
Mësimdhënësit që kanë punuar në vitet 1990-1999 kanë dhënë një kontribut të madh për faktin se kanë punuar nëpër shtëpia private që janë shfrytëzuar si shkolla, ndërsa kanë sfiduar pushtetin e Millosheviçit me veprime të tilla, duke krijuar sistem paralel të arsimit në Kosovë. Regjimi serb ka tentuar vazhdimisht që ta pengojë mbajtjen e mësimit në shtëpi private. Shumë mësimdhënës janë penguar që të shkojnë për të dhënë mësim, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë rrahur, arrestuar dhe përndjekur për këtë arsye. Gjithashtu duhet cekur se jo të gjithë mësimdhënësit kanë bërë këtë sakrificë, pasi që një pjesë e tyre kanë migruar atë kohë për në vende të ndryshme të Evropës bashkë me familjet e tyre.
Këshilli i Prindërve të Kosovës kundër grevës
Në lidhje me zhvillimet e fundit ndërmjet Ministtrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut, ka reaguar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ky këshill është shprehur i shqetësuar me paralajmërimin e SBASHKU-t lidhur me fillimin e grevës së mundshme të mësimdhënësve të nivelit para universitar të Kosovës të parapara për fillimin e tetorit.
Sipas këtij këshilli, prindërit janë të vetëdijshëm për rolin që kanë luajtur mësimdhënësit në vitet e nëntëdhjeta kur Kosova ishte nën okupimin e egër e ku mësimi u mbajt në kushte e rrethana mjaft të vështira.
“Normalisht se për këtë pjesë të zhvillimit të Arsimit në Kosovë , mësimdhënësit meritojnë të trajtohen në mënyrë ligjore e pse jo edhe të shpërblehen nëse Shteti i Kosovës ka mundësi buxhetore. Shpresojmë se edhe Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës e ndanë këtë mendim dhe se në kuadër të kornizave ligjore dhe mundësive buxhetore do ta trajtojnë këtë çështje dhe se mësimdhënësve të viteve nëntëdhjeta do të ju jepet kontributi i merituar. Të gjithë ne kuptojmë kërkesat e Sindikalistëve të Arsimit dhe gjendjen e rënduar financiare të personelit arsimor”, thuhet në reagimin e këshillit të prindërve.
Por ata kërkojnë edhe nga Sindikata e Arsimit që ta shqyrton më me seriozitet paralajmërimin për ndërprerje të mësimit pasi që në këtë mënyrë po i shkaktohet barrierë procesit edukativo-arsimor dhe në rend të parë po humbin nxënësit.
“Ne, Këshilli i Prindërve të Kosovës, kërkojmë nga ana e Kryesisë së SBASHK-ut që të jetë e matur në veprimet e tyre dhe mos të ndërmarrin veprime të ngutshme dhe të dëmshme për procesin mësimor dhe të kenë mirëkuptim për nxënësit sepse çdo ndërprerje e mësimit pavarësisht arsyes dhe rrethanave ndikon drejtpërsëdrejti në ngritjen e cilësisë në arsim’, thuhet në reagim.
Këshilli i Prindërve të Kosovës gjithashtu kërkon nga MASHT-i dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet ligjore ndaj mësimdhënësve dhe Shkollave në përgjithësi.
Kujtojmë se SBASHK kishte organizuar disa greva në vitet paraprake, duke bojkotuar për javë të tëra procesin mësimorë, derisa janë dakorduar për kërkesat e tyre me Ministrinë e Arsimit. /tesheshi.com/