Orë pasi shpalli “non grata” kreun e misionit të OSBE-së në Tiranë….e ku pasi zëdhënësi i tij sulmoi dhe zëdhënësen e BE-së, mu pse kjo e fundit dha të drejtë zgjedhjes së Arta Vorpsit si anëtare e rë në Kushtetuese e jo Marsida Xhaferllarit, presidenti Meta ka shpërthyer rëndshëm në studion e Open-it në TCH, duke akuzuar ndërkombëtarët për komplot, shpallur ata si të korruptuar, e konsideruar Reformën në Drejtësi si një dështim. “Jemi shumë vonë si shtet për të treguar disa kufij disa diplomatëve të huaj që kanë abuzuar shumë me respektin që ne kemi për ta”, tha Meta, ndërsa shpalljen “non grata” të Borschardt-it sot, pa ndonjë shkak real, në mënyrë krejt të beftë dhe për arsye të tejkaluara në kohë, ai iu përgjigj.
“Pse sot? Sepse po bëhet si një sport shumë fitim prurës i disa diplomatëve për të vënë në diskutim institucionet e shtetit shqiptar edhe presidencën, që është simbol i sovranitetit të shtetit. E kanë tepruar prej kohësh, jo të gjithë kuptohet”, ka qenë fraza e kreut te shtetit, duke u kujdesur gjithnjë që të bëj një ndarje mes ambasadorëve dhe politikave të vendeve nga vijnë, duke ofruar bindjen se nuk është e njëjta linjë qëndrimesh.
Me një gjuhë në kufijtë e shfrenimit etik, duke pohuar se ai është president por pa u kujdesur për seriozitetin e një staturë të tillë të lartë shtetërore, ai shkoi deri aty sa quajti ambasadorët si vagabondë.
“I kam përkëledhur më shumë seç duhet këta… unë do jem shumë i qartë për cilindo vagabond ndërkombëtar që mendon se mund të poshtërojë popullin shqiptar”, tha Meta.
Meta foli me bindjen se ndërkombëtarët janë të gënjyer, e se mbështesin Edi Ramën e jo atë, për arsye lobuese. Këtu ai përmendi dhe njeriun e Brukselit në Tiranë, Luigi Soreca, një mbështetës i flaktë i Reformës në Drejtësi, duke thënë se nuk i duhet mbështjetja e tij.
“Nuk kam nevojë të më përkrahë Soreca…Ambasadorët të heqin dorë nga lobimet, po dëmtojnë vendet e tyre….Ka patur një lobing të fortë për t’i dhënë të gjithë drejtësinë Edi Ramës”, theksoi presidenti i vendit, i cili me pohimet e tij heraherës kontraverse, la të shtangur gazetarët rreth tij në studio.
Sipas tij, dikur ka ndodhur që ambasadori Lu t’i ketë kërkuar falje, pasi siç i ka thënë ky i fundit, ishte gënjyer nga PS.
“Mua Donald Lu më ka kërkuar gjithmonë të falur. Më vinte në zyrë dhe më thoshte më fal se më keqinformuan këta të Partisë Socialiste”, theksoi Meta.
Po pse gjithë ky irritim? Në një moment, Meta pohoi se ka marrë mesazhe që zgjedhja e Arta e Vorpsit e jo ajo e Marsida Xharefllarit, ka qenë në përputhje me Kushtetutën, diçka që u përcoll dhe nga Brukseli.
Por sipas Metës, kjo është vjedhje e Kushtetutës nga ndërkombëtarët.
“Unë do kërkoj hetim ndërkombëtar për ata që mbrojnë Dvoranin. Ata që e mbrojnë janë të korruptuar”, tha Meta, referuar ndërkombëtarëve. /tesheshi.com/