Shërbimi shëndetësor në Britaninë e Madhe u lavdërua për sigurinë, përballueshmërinë dhe efikasitetin e tij, megjithëse arriti më pak rezultate në parandalimin e vdekjeve të hershme dhe mbijetesës së kancerit, shkruan BBC.
Hulumtimi i kryer nga Fondi i Komonuelthit, një institut ekspertësh amerikanë, shqyrtoi vendet anembanë botës, duke përfshirë SHBA-të, Kanadanë, Australinë, Francën dhe Gjermaninë. SHBA u radhit e fundit.
Është hera e dytë me radhë që Britania e Madhe kryeson në listë. Në sondazhin e kryer tre vjet më parë, Britania e Madhe ishte gjithashtu e para në listë.
Renditja:
-Britania e Madhe
-Australia
-Holanda
-Zelanda e re
-Norvegjia
-Suedia
-Zvicra
-Gjermania
-Kanada
-Franca
-SHBA
Sekretari i Shëndetësisë së Anglisë, Jeremy Hunt tha: “Këto rezultate të jashtëzakonshme janë testament për përkushtimin e stafit të NHS-së, i cili megjithë presionin që bie mbi vijën e frontit, po ofron kujdes më të sigurt dhe më të dhembshur se kurrë”.
“I renditur si sistemi më i mirë shëndetësor nga 11 vendet të pasura, NHS përsëri ka treguar pse është gjëja e vetme që na bën më krenar pse jemi britanikë”.
Në anën tjetër Kate Andreës, nga Instituti për Çështje Ekonomike, tha se NHS është “larg nga të qenit zilia e botës”.
“Mbretëria e Bashkuar ka një nga normat më të larta të vdekjeve të shmangshme në Evropën Perëndimore dhe dhjetëra mijëra jetë mund të shpëtohen çdo vit nëse pacientët e NHS me kushte serioze si kanceri do të trajtoheshin nga sistemet e sigurimeve shoqërore si në vendet fqinje, psh Belgjika dhe Gjermania. Nuk janë vetëm personat me të ardhura të ulëta që marrin kujdes të dobët, sigurimi i kujdesit të NHS është po aq i dobët për të gjithë, pavarësisht nga të ardhurat”, përfundon ajo. /tesheshi.com/