Nga Bujar M. Hoxha
Kryeministri turk në detyrë, Ahmet Davutogllu, do të takohet sonte me shefin e opozitës, kryetarin e republikanëve të CHP-së, Kemal Këllëçdarogllu, në pjekjen përfundimtare mes tyre për të vendosur nëse do të krijojnë një koalicion historik mes palëve, apo do t’u drejtohen sërish kutive të votimit.
Takimi është lënë për në 18:00 me orën lokale, por ende nuk dihet se ç’do të ndodhë gjer atëherë. Ndërsa e hëna ka nisur që në mesnatë me incidente vdekjeprurëse, që i kanë lënë radhën njëri-tjetrit me një rregullsi mbresëlënëse, duke të lënë përshtypjen e një orkestrimi kush e di se nga ç’dorë, si për të bërë presion me to për një vendim të dëshiruar nga qarqe të caktuara, ajo çfarë do të deklarohet sonte në mbrëmje është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit.
Të gjitha shenjat tregojnë se partitë po përgatiten për zgjedhje të parakohshme. Për më tepër, pas një serie të gjatë bisedimesh të nivelit të dytë mes përfaqësuesve të AKP-së dhe CHP-së, kërkesat e opozitarëve më shumë e bëjnë të pamundur koalicionin. Mandati i dhënë Davutogllusë nga presidenti për të formuar qeverinë e re skadon më 23 gusht, e ora ka nisur të ecë mbrapsht, ndërsa pjesa më e madhe e kohës në dispozicion është konsumuar.
Pushteti i presidentit, politika e jashtme, kohëzgjatja e arsimit të detyruar, programet mësimore të shkollave fetare, çështja kurde dhe procesi i pajtimit janë mes pikave për të cilat palët kanë mungesë pikëpjekjeje.
Nga ana tjetër, nacionalistët e MHP-së e bënë të qartë qysh në krye të herës se nuk ishin të gatshëm të përfshiheshin në një koalicion. Edhe kur ndryshuan disi qëndrim, kërkesat e tyre parashtruan më tepër një dëshirë për ta sulmuar presidentin, se prirjen për ta zgjidhur situatën.
Ndërsa kurdët e HDP-së, partisë së katërt parlamentare, nuk janë futur fare në hesap, edhe për shkak të asaj që po ndodh aktualisht në Turqi, të një shpërthimi të paparë dhune prej militantëve të PKK-së.
Në një kohë të trazuar fort për turqit, kur ka një përballje thuajse frontale me PKK-në, me ISIS-in, e me organizata të tjera terroriste në vend, përgjithësisht të majta, pyetja shtrohet thjesht: ç’do të pasonte pas krijimit të koalicionit, apo, ndryshe, në rastin tjetër, më të mundshmin, pas rishkuarjes në zgjedhje të përgjithshme?
Nëse AKP-ja e Davutogllusë do të pranonte një koalicion, do të detyrohej të lëshonte shumë prej vijës së saj politike tradicionale, do të krijonte pakënaqësi të thellë te mbështetësit e vet më të thekur, do të shtrëngohej t’u jepte portofole të rëndësishme qeveritare kundërshtarëve të përjetshëm politikë, e në fund veç do të zvarritej zemërlëshuar në një mishmash vendimmarrjesh, ku nuk do e merrte vesh i pari të dytin. Këtë e ka treguar koha, prandaj askush nuk mund ta mohojë!
Në anën tjetër, përçmues fund e krye ndaj presidentit aktual, republikanët do të përpiqeshin me ç’të mundeshin t’i vinin shkopinj nën rrota institucionit të tij. Në një luftë të paepur të qeverisë së Davutogllusë me strukturën paralele, të parë nga Erdogani më së pari si sfidë personale, për shkak të thikës pas shpine të ish-aleatit në mërgim, veprimtarët e CHP-së nuk do të linin rast pa infiltruar në organet qeverisëse njerëzit e kësaj lëvizjeje. Që në fund do të rezultonte në një çmim thuajse të pamundur për t’u paguar nga qeverisësit e sotëm.
Në këndvështrimin e kaosit që mbretëron sot, koalicioni veç do ta shtonte rrëmujën me papërputhshmërinë e ideve mbi zgjidhjet dhe direktivat pasuese.
Për ta vënë pikën mbi i, presidenti nga sa duket është më në favor të zgjedhjeve të reja.
Në rastin tjetër, nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, që me gjasa do të duhej të zhvilloheshin në nëntor, skenari më i mundshëm parasheh si fituese sërish AKP-në, e këtë herë me një shumicë të mjaftueshme për të udhëhequr e vetme. Dy janë faktorët që të çojnë në këtë përfundim. I pari, ngaqë AKP-ja do të kishte mundësi të paraqiste si kandidatë shumë prej atyre figurave me peshë të partisë që në zgjedhjet e fundit u detyruan të qëndrojnë jashtë për shkak të rregullores partiake. Kjo do të ndikonte pa dyshim në një rezultat më të mirë. I dyti, HDP-ja, me qëndrimin e saj, e me pusitë e vrasjet e panumërta të PKK-së, nuk do të ishte më në gjendje ta kalonte pragun elektoral prej dhjetë përqindësh. Të gjitha sondazhet e momentit tregojnë se HDP-ja e kurdëve mund të shkojë e shumta shtatë për qind, një shifër e pamjaftueshme për t’u futur në parlament. Dështimi i HDP-së do të çonte ujë në mullirin e AKP-së, që do t’i rifitonte pozitat e humbura në ato zona ku pësoi tërheqje në zgjedhjet e fundit, e përkthyer kjo në numër më të madh deputetësh për të.
Veçse kjo do ta radikalizonte më tej situatën në vend, ndërsa dhe në zgjedhjet e qershorit HDP-ja ishte përgatitur për trazira nëse nuk arrinte ta kalonte pragun elektoral. Çka duhet të shtoj këtu është dhe një gatishmëri e çuditshme e disa krerëve të AKP-së për ta ulur pragun elektoral në pesë për qind, që do të ishte fatale për Turqinë, dhe do ta kthente parlamentin në çajhane, ku çdokush do t’i binte teneqesë së vet.
Sa u përket dy partive të tjera opozitare, të majtët e CHP-së nuk duken të kenë asnjë mundësi t’i shtojnë pikë rezultatit të tyre të dy muajve përpara; nuk ka asnjë arsye për këtë. Nacionalistët e MHP-së mund të kenë një lloj rritjeje, si për shkak të radikalizmit të tyre në diskutimet për çështjen kurde, po aq dhe për shkak të qëndrimit të ngurtë ndaj përfshirjes në koalicion, por pa mundur të bëhen faktorë qeverisës.
Një kleçkë jo fort kollaj e zgjidhshme është çështja se me ç’qeveri do të shkohet në zgjedhje. Janë disa alternativa, por asnjëra e kënaqshme. Sidoqoftë, kjo është hallka e fundit e një dileme që pret të zgjidhet sonte. Më së paku për çka është luftuar deri tani. Sepse gjer më 23 gusht ka kohë, e mund të ketë surpriza të tjera, por për të cilat duhet llamba e Aladinit! /tesheshi.com/