Nga Bujar M. Hoxha
Çka ngjau të enjten ishte paralajmëruar prej kohësh. Votimi i Parlamentit Europian për t’i pezulluar negociatat me Turqinë për pranim në BE është as më shumë e as më pak kulmimi i një fushate të gjatë, të marrë akoma më tepër vrull me të dështuar përpjekja për grusht shteti në vendin euroaziatik.
Nuk ka aspak rëndësi nëse mocioni i miratuar ka fuqi detyruese apo është thjesht nxitës: ai është reflektim i plotë i frymës antiturke, më saktë, i frymës kundër qeverisjes së Rexhep Tajjip Erdoganit e të AKP-së, që mbizotëron prej momentit të lulëzimit të Turqisë!
Ironikisht, votimi i së enjtes është i vetmi moment sinqeriteti në sjelljen europiane ndaj Turqisë. Eshtë i vetmi moment kur hipokrizia është lënë mënjanë: këtë Turqi nuk e duam!
E cila është thagma e radhës? Masat e shpërpjestuara shtypëse pas përpjekjes së dështuar për puç ushtarak!
E kujtoni të nesërmen e 15 korrikut? Heshtje… Vetëm ndonjë zë i mekët aty-këtu… Ndjesia e vetme ishte se diku, apo shumëkund, kishte dëshpërim, kishte zhgënjim për një përpjekje të çuar dëm për t’i prerë hovin kësaj Turqie.
Prej një viti vendi tronditej periodikisht nga shpërthime lëndësh të përgatitura nga kushedi çfarë duarsh, që merrnin pandërprerë jetë të pafajshme, ndërsa në mënyrë absurde i kërkohej Turqisë të ndryshonte ligjin kundër terrorizmit! Ndryshe, nuk kishte liberalizim vizash!
Një fill e ndau Turqinë nga rënia në humnerë në verën e lënë pas, ndërsa në mënyrë absurde iu kërkua të ketë kujdes me masat e pas ngjarjes tragjike!
Për ç’kujdes bëhej fjalë, për kë duhej treguar kujdes?
Për nxjerrësit e tankeve në rrugë e për ngritjen në ajër të avionëve luftarakë, që morën jetën e qindra njerëzve? Për ca biçim gazetarësh e partiakësh që i frynin e i fryjnë zjarrit të shkatërrimit?
Për ç’masa represive të shpërpjestuara kritikohet Turqia? Ndaj kujt? Vetëm pak orë pas përpjekjes për grusht shteti, një prej përgjegjësve kryesorë u la i lirë nga gjykata! Mos duheshin dekoruar gjykatësit për këtë “patriotizëm”?
Turqia vijon të jetë nën kërcënimin e terrorit, asaj i kërkohet të heqë gjendjen e jashtëzakonshme! Turqia përballet me PKK-në, terroristëve u hapen dyert në Europë. Akoma më keq në Belgjikë: lejohen të ngrenë dhe çadra! Një gjykatë madje nuk na e njeh PKK-në si organizatë terroriste! Për të mos folur për qindra puçistë e ndihmues puçistësh të strehuar në vende “demokratike”.
As që u falënderua ky vend për miliona të zhvendosur nga lufta e të pritur në të, që ndryshe do të kishin vërshuar kufijve të kontinentit “mikpritës”. Nuk kishte falënderim, kishte cinizëm; nuk kishte premtime të mbajtura, kishte fushatë të vazhdueshme anatemuese.
Turqia nuk duhet të zemërohet nga votimi i PE-së. Në të kundërt, ajo duhet t’i përgëzojë ligjvënësit europianë për sinqeritetin e treguar.
Turqia është “tjetri”; as ka qenë e as do të jetë pjesë e BE-së! Pezullohen apo nuk pezullohen negociatat, asgjë nuk ndryshon në raportet e ndërsjellta.
As ka patur dashuri ndaj Turqisë, as do të ketë… Posaçërisht sa të qeveriset nga AKP-ja e nga Erdogani. Posaçërisht për sa kohë vijon të përparojë, për sa kohë të sillet si e pavarur, për sa kohë që të mos jetë në rolin e lypsarit, për sa kohë që të jetë jashtë kornizës së klishesë të Lindjes së prapambetur…
Votimi e mocioni i PE-së është në vazhdën e një vale të re për t’i ulur kokën Turqisë së sotme, për t’i ulur kokën Erdoganit.
Kështu duhet parë! Kush është befasuar, thjesht rëndë ka gabuar! /tesheshi.com/