Në jetën publike shqiptare u shënua një ndër aktet më të rënda, ai i përçudnimit publik të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla; ku një studente nga ato që janë vënë në radhët e para për të kundërshtuar reformën në arsimin e lartë, kandidate për të hyrë tek i ashtëquajturi grupim i shoqërisë civile, ku nuk dallohet dot filli që ndan deliret e moshës nga ndërgjegja vërtet civile, shkoi dhe i lëshoi salcë mbi kokë zonjës që drejton arsimin shqiptar.
Është shumë e rëndësishme të evidentohet fakti që ministrja Nikolla mund të kontestohet vërtet për reformën, e cila në parim, si çdo reformë tjetër, nuk mund të ketë konsensus absolut; por ajo, performanca e saj, është e një gruaje gjithsesi dinjitoze, e pacen në personalitetin e përgjithshëm të një shtetareje, dhe sigurisht e papërfolur për afera të cilat vërtet mund ta shndërronin në ndonjë figurë të urryer qeveritare, aq sa për ta merituar një tubet salcë kokës.
Ndërkohë që nga ana tjetër kësi gjestesh rrezikojnë që t’i japin legjitimitet çdokujt, e sidomos grupimeve parapolitike, për t’ju sulur çdo qeveritari me forma të ngjashme, të cilat kanë vetëm një fund: kaosin dhe anarkinë. Janë forma dhe sjellje që minojnë sistemin duke e deligjitimuar rregullat e tij. Mjaft që për një çast të mendohet se vajza atentatore ndaj ministres Nikolla, si dhe shumë të tjerë aktorë civilë, një ditë mund të jenë vetë me përgjegjësi shtetërore; dhe ato do të ndeshen me patjetër me precedentin që vetë e kanë krijuar duke rënë viktimë e fugës së lëshuar në emër të një rebelizmi rinor me ngjyrime të arsyes civile.
Dhe Mjafti i dikurshëm me Erion Velinë & Co, sado të kompromentuar në qëllimet apo moralin e tyre që binte erë interesa politike, së paku meritojnë një vlerësim që në asnjë rast nuk vunë dorë mbi shtetin, rendin, ligjin. Ofruan spektakël protestash, por nuk dhunuan kënd; dhe sot që janë në pozita qeverisëse ndihen komodë në këtë pikëpamje.
Vajza atentatore, si dhe të tjerë aktorë të shoqërisë civile, i kanë të gjithë hapësirat për t’u mandatuar politikisht nëse kanë një program të tyrin se si rregullohet punët e këtij vendi. Është pak e gjatë si rrugë, por tërësisht e mundshme. Dhe në fund e vetmja që të jep legjitimitetin e nevojshëm për t’i ndryshuar gjërat. Ndërsa në stadin ku ndodhen, pa mandat përfaqsimi, ku nuk duket se nga u buron afshi guerril, ata duhet të qëndrojnë brenda paradigmës popullore: “Gojës jepi, por me dorë mos prek!”.
Sot, mendjet e arsyeshme të këtij vendi nuk kanë pse të jenë pro reformës së dalë nga zyrat e dikasterit të znj. Nikolla, por kanë patjetër arsye që të jenë krah saj në emër të ca standarteve që e mbajnë në shina një shoqëri, buruar nga sintagma e lartë morale: “Mos i bëj tjetrit atë që të tjerët nuk do doje ta bënin më ty!” /teshesh.com/