Nga Bujar M. Hoxha
Ajlan Kurdi, një trevjeçari sirian, u nxor dje në bregun turk nga dallgët, me jetën të mbyllur pa e nisur ende mirë. Fotoja e të voglit të pafajshëm, me fytyrën në rërë, ka bërë xhiron e botës, si një klithmë ndaj mizorive të kaluara shpesh në heshtje, si shprehje e derexhesë ku ka përfunduar njerëzia!
Bashkë me të humbën dhe jetën dhe i vëllai, dy vjeç më i madh, Galipi, e nëna e tyre, e gjora Rihan, në përpjekjen e radhës për t’i ikur së keqes, luftës, në vendin e tyre.
Jo kohë më parë ata jetonin më së paku të qetë, në shtëpi, tërë gaz, siç tregohet dhe në foto. Por jeta u kishte rezervuar surpriza të hidhura pa nisur akoma rrugëtimin.
Fundi i tyre është si fundi i mijërave të tjerëve, sirianë e libianë, afrikanë e aziatikë, që prej kohësh kanë gjetur si shpëtim të vetëm rendjen e shfrenuar drejt caqeve të panjohura, drejt Perëndimit të ftohtë akull. Eshtë një dramë që nuk duket të ketë fund, e që po merr përmasa akoma më tragjike ndërsa ditët kalojnë.
Ata janë pjesërisht viktima të atyre që kanë patur apo që kanë mbi krye në vendet e tyre, por janë dhe viktima të kalkulimeve koloniale në kurriz të tyre. Janë viktima të luftërave të subvencionuara, janë viktima të orekseve të shfrenuara.
Gadafi u rrëzua, u kap e u masakrua, por libianët nuk e dinin se vuajtja e tyre sapo kishte filluar. Një ndërhyrje e jashtme e bëri të mundur fundin e pushtetit të Gadafit, diku e fshehur e diku e hapur. E kjo në emër të demokracisë, në emër të kërkimit të të drejtave të njeriut, në emër të kushedi ç’lirie… E sot, vite pas rënies së Gadafit, Libia nuk dihet ç’është, kush e udhëheq, nga është drejtuar! Vendi gjendet i ndarë mes forcave rivale, të financuara më herët apo edhe sot nga përtej kufirit. E për ironi, libianët po e kërkojnë shpëtimin duke u përpjekur të vënë këmbën në tokën e atyre që ua gatuan çorbën e prishur!
Ndryshe Libisë, Esadi as e la pushtetin, e as u rrëzua në Siri. Arenë e përplasjes së interesave të gjithfarëllojshme, Siria është kthyer në një vend ku luftojnë të tërë, mbështetësit e regjimit, rebelët, luftëtarët e ISIS-it, kurdët. Një mishmash i qëllimshëm, i cili i ka vënë flakën vendit, duke e kthyer gjithçka në gërmadhë. Dhe po përsëri ironia është e pranishme: sirianët kanë vërshuar në kufijtë e kontinentit plakë, të pashpresë në fakt se do të gjejnë zgjidhje, por të shtyrë nga udhëkryqi ku gjenden.
Cinike sa më s’ka, Europa po rreket t’i japë hall lumit të refugjatëve. Diku ata keqtrajtohen, diku thjesht shpërfillen, diku lihen në mes të shiut e në pikë të vapës, e dikur priten dhe mirë. Diku kufiri rrethohet me tela, diku trenat ngarkohen me refugjatë, e diku propozohet që ata të kthehen nga kanë ardhur.
Një tragjedi njerëzore, e gatitur nga mendje perverse e të panginjura në emër të interesave e të gjoja ca “vlerave” që e humbin kuptimin kur bëhen shkak për skena të tilla.
Më e keqja është se ne vijojmë jetën tonë të patrazuar, të pandjeshëm për atë çka po ndodh pak përtej derës sonë. Bodrumi është vendi më i parapëlqyer për pushime në Turqi. Aty mblidhet i madh e i vogël, nga brenda e jashtë vendit, e qejfi nuk ka të ndalur në të gjatë gjithë verës e më tej. Por Bodrumi është kthyer në këto ditë dhe në bregun nga ku refugjatët nisen drejt ishujve grekë. Krahas pushuesve që rrezatojnë pafundësisht mirëqenie, të zë syri qenie të lodhura, të trishtuara, të pangrëna, që po presin momentin për të vazhduar udhëtimin që nuk ka të sosur. Dikush e ka mendjen te pishina në Bodrum, e dikush tjetër, njeri si po ai, pret gomonen, në të vetmen mundësi që i ofron momenti për të mbijetuar.
Në bregun e Bodrumit e nxori të pajetë deti të voglin, të mirin, Ajlan. Pak më tutje jeta vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Deti, rëra e dielli vijojnë të jenë kënaqësia e pafundme për shumë njerëz. Krah tyre, trupi i Ajlanit nuk të thotë kështu! /tesheshi.com/