Rusia dhe Perëndimi janë në pikën më të ulët në marrëdhëniet mes tyre që prej Luftës së Ftohtë. Sanksionet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dy vite të shkuara, e tani konflikti në Siri, ku palët gjenden në anët e kundërta, dhe rusët akuzohen për krime lufte pas bombardimeve në mbështetje të regjimit sirian, kanë krijuar një atmosferë tensioni. Aq sa zërat për një Luftë të Tretë Botërore janë bërë gjithnjë e më të kumbueshëm.
Por ndryshe mendon sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai i ka deklaruar BBC-së se NATO nuk kërkon përplasje me Rusinë, e nuk dëshiron një tjetër Luftë të Ftohtë.
Pavarësisht tensioneve aktuale, aleanca ushtarake nuk e sheh Rusinë si një kërcënim, ka këmbëngulur ai.
Stoltenberg ka bërë të qartë se dislokimi i planifikuar i 4.000 trupave shtesë në Europën Lindore synon ta pengojë konfliktin, e jo ta provokojë atë.
Batalione të NATO-s, të përbërë nga 1.000 trupa, do të dislokohen në fillim të vitit të ardhshëm në Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani, dhe ato do të udhëhiqen SHBA-ja, Britania, Kanadaja dhe Gjermania.
NATO, në vend të kërkimit të përplasjes me Rusinë, i ka thënë shefi i aleancës ushtarake euroatlantike BBC-së, po vazhdon të përpiqet për një marrëdhënie më bashkëpunuese dhe më konstruktive.
“Por duhet ta bëjmë këtë të mbështetur në mbrojtjen kolektive,” është nënvizimi i tij. /tesheshi.com/