Pandemia e COVID-19 do të përfundojë “kur bota të vendosë t’i japë fund”, pasi “të gjitha mjetet” për të luftuar virusin janë tani në dispozicion, tha të dielën shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke përsëritur thirrjet e tij për një shpërndarje më të drejtë të vaksinave.
Ai shprehu keqardhjen që deri më tani “bota nuk i ka përdorur me mençuri këto mjete” dhe theksoi se me “afër 50,000 vdekje në botë në javë, pandemia është larg përfundimit”.
Kreu i OBSH-së foli në ceremoninë e hapjes së “Samitit Botëror për Shëndetin”, një mbledhje vjetore e profesionistëve dhe politikanëve në Berlin.
Qëllimi i OBSH-së është të vaksinojë 40 për qind të popullsisë së çdo vendi deri në fund të vitit dhe 70 për qind deri në mes të vitit 2022. Tedros thekson rregullisht se i vjen keq për akumulimin e vaksinave kundër COVID në vendet e pasura.
“Është e mundur, por vetëm nëse vendet dhe kompanitë që kontrollojnë furnizimin i kthejnë fjalët e tyre në vepra,” tha ai në Berlin.
“Vendet që kanë vaksinuar tashmë 40 për qind të popullsisë, duke përfshirë G20, duhet t’i lënë sasitë e tyre në shpërndarjen e vaksinave në sistemin ndërkombëtar Covax dhe Fondin Afrikan të Prokurimit të Vaksinave (AWAT) të krijuar nga Bashkimi Afrikan,” thotë Tedros.
“Prodhuesit e vaksinave duhet të ndajnë njohuritë, teknologjitë dhe licencat e tyre dhe të heqin dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale,” shpjegoi ai.
Në një videomesazh të regjistruar, kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, vlerësoi se “suksesi i vaksinave, të zhvilluara dhe të vendosura në treg në një kohë rekord, u errësua nga tragjedia e shpërndarjes së padrejtë”.
“Të gjithë jemi të kërcënuar nga nacionalizmi dhe akumulimi i vaksinave”, përfundoi Guterres. /tesheshi.com/