Të paktën 41 persona janë vrarë, mes së cilëve inteligjenca e SHBA-ve shpreson që të jetë edhe Noureddine Chouchane, tuniziani i lidhur me dy sulmet e mëdha të vitit të shkuar në Tunizi. Ishte pikërisht ai objektivi i sulmeve të Amerikës mbi një shtëpi kolonike disa kilometra larg Sabratha, në lindje të Libisë.
Sipas New York Times, gjashtë persona janë plagosur dhe mes tyre ka pasur edhe gra e fëmijë. Aksioni amerikan është konfirmuar nga zëdhënësi i komandës Afrika të Pentagonit, koloneli Mark Cheadle.
Objektivi ishte xhihadisti, i cili nuk dihet ende nëse është apo jo njëri prej viktimave. Chouchane është konsideruar si një prej personave me më shumë ndikim tek ISIS. Ai ka marrë pjesë në masakrën e muzeut Bardo, në të cilën ndërruan jetë 22 persona, si dhe në masakrën e 26 qershorit në plazhin Sousse, ku u vranë 38 persona.
Sipas një zëdhënësi të qeverisë së Tripolit, Jamal Naji Zubia, pjesa më e madhe e viktimave janë tunizianë dhe të paktën një person i seksit mashkull, i cili ndërroi jetë në spital, ishte me origjinë nga Jordania.
“Operacioni nisi gjatë orëve të para të ditës së sotme”, lexohet në komunikatën e shpërndarë në Facebook nga këshilli komunal i qytetit libanez, në të cilën flitet për një “bombardim ajror që mendohet se është bërë nga të huajt” dhe se “ka shkaktuar panik” në zona të ndryshme të qytetit. /tesheshi.com/