Një administratë e aftë dhe e papolitizuar është premtimi kryesor i fushatës së Edi Ramës në zgjedhjet e fundit. Duke akuzuar partnerin qeverisës, LSI-në, se e kishte konceptuar administratën si një “tepsi” ku punësohen militantët e partisë në favor të votës në Kuvend, Rama kërkoi timonin i vetëm për të qeverisur me një administratë pa militantë.
Fill pas zgjedhjeve kur e mori këtë besim ai hapi një adresë emaili ku u kërkon shqiptarëve të aplikojnë për vende pune në administratë.
“Kush e ka një shkollim të besueshëm, jashtë a brenda vendit, një eksperiencë të suksesshme, jashtë apo në Shqipëri dhe ka brenda vetes ndjenjën e tërheqjes drejt fushëbetejës së këtij mandati të ri, për të bërë shtet me punë e mirëqenie, të mos ngurrojë ta shprehë interesin e tij tek [email protected]”- shkruan Rama në facebookun e tij.
Gjithashtu bashkë me ekipin e kandidatëve për deputetë ka nisur një tur takimesh në rrethe për të mbledhur pakënaqësitë e njerëzve me administratën në funksion të përmirësimit.
LSI e sheh këtë si një rrugë për të hequr nga puna njerëzit e saj, të futur në shtet që nga viti 2013, por Rama besom se ka synim madhor; krijimin e një shërbimi cilësor për qytetarët, ku të mos ketë më vend për militantë që dredhin zinxhirin, por për profesionistët e vërtetë.
Po sa e mundur është të realizohet kjo?!
Nuk është hera e parë që Rama e provon këtë. Edhe në vitin 2013 fill pas fitores ai premtoi krijimin e një administrate të aftë dhe apolitike.
Në funksion të këtij premtimi ai krijoi madje dhe një ministri të posaçme që drejtohej nga Milena Harito.
Hapi i parë i saj si ministre ishte krijimi i një platforme dixhitale ku njerëzit kishin mundësi të aplikonin për vende pune. Më pas nisi beteja për të ashtuquajturën “Reformë të administratës publike” me një strategji që datonte nga 2014 deri më 2020 dhe që nisi me ndryshime në ligjin për nëpunësin civil.
Por në të njëjtën kohë që Harito tentonte të fuste modelin e meritokracisë me anë të konkurseve, krerët e LSI-së kërkuan pjesën e tortës së tyre duke marrë 20 përqindshin e pushtetit, drejtori më drejtori, e qark më qark.
Në atë kohë bëri bujë në media një mbledhje larg kamerave mes PS-së dhe LSI-së, ku u ndanë vendet e punës.
Deputetja e LSI-së dhe bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, bashkë me dy deputetë të PS-së, Taulant Balla dhe Saimir Tahiri, mbledhën në një takim të gjithë drejtorët e institucioneve publike të qarkut të Tiranës për të zgjidhur “mosmarrëveshjet” midis PS-së dhe LSI-së për punësimet në administratë.
Kryemadhi pikërisht në këtë takim kërkoi përcaktimin e kuotave partiake për çdo drejtori bazuar në marrëveshjen për ndarjen e pushtetit ndërmjet PS dhe LSI-së duke u ankuar se disa drejtorë nuk pranonin të merrnin në punë njerëzit e LSI-së që i shkonin me listë emërore nga partia.
Ja kjo ishte “tepsia” për të cilën flet Rama.
Pas kësaj ajo që ndodhi ishte një shans i humbur për Ramën dhe për vendin që të kishim një burokraci efikase dhe ku zyrat e shtetit të mos përdoreshin për përfitime personale e partiake.
Jo vetëm që përfshirja me meritokraci në administratë nuk funksionoi pas ndarjes së tepsisë, por si pasojë e heqjes nga puna të një pjese të mirë të administratës së vjetër të PD-së shtetit iu faturua një dëm rreth 11 milionë euro detyrime.
Të larguarit nga puna deri në vitin 2015 fituan gjyqet me shtetin dhe e detyruan atë të paguante faturën duke dhënë në fakt “dy paga” për një vend pune për të paktën një vit rrjesht, militantin e punësuar dhe punonjësin e larguar nga puna.
Sipas Ministrisë së Financave në vitin 2015 në pagesën e borxheve, zëri i fondeve që i dedikohen të larguarave nga puna kapte shumën e 1.6 miliardë lekësh, që korrespondon me rreth 11 milionë euro.
Sot Rama dhe PS ka një shans të dytë për të bërë një administratë publike në bazë të ligjit dhe që t’i shërbejë njerëzve duke vendosur një standard të ri të mospërfshirjes së militantëve në shtet.
Këtë herë nuk e ka LSI-në dhe as PDIU-në, e cila hyri më vonë në “tepsi”, që t’i kërkojnë vende pune duke nisur që nga drejtorë, gardianë burgjesh e deri tek pastruese nëpër spitale.
E vetmja kosto që ai merr me realizimin e një administratë apolitike është zhgënjimi i militantëve socialistë që e kanë parë fushatën dhe partinë si një lopë për ta mjelë kur të jetë në pushtet./tesheshi.com/