Nga Shkëlzen Rrecaj
Ndër njerëzit që ballafaqohen hem me sfida e hem me paragjykime nga më të ndryshmet, janë ato që kanë lindur me Sindromin Down. Sot është dita e tyre; e është pra dita për të kujtuar se ata, edhe pse të privuar në dukje nga disa atribute fizike e të mendjes, janë potenacialisht meritorë për çfarë mund t’i japin vetes e shoqërisë.
Besnik Hyseni është një sosh nga Prishtina, i cili e ka sfiduar të qënit me Doën; si gjithë të tjerët është shkolluar, punësuar, një djalë mjaft aktiv në të gjithë përmasën e jetës së jetuar.
Ai dhe motra e tij Sadija, u përzgjodhën nga faqja e popullarizuar “Familja dhe Shëndeti”, për t’ju ofruar shoqërisë si model.
Në fillim Besniku ka punuar në bufenë e Down Sindrom Kosova, e prej aty është punësuar më pas në Korporatën e Ujit Rugova, sërish si banakier.
“Zgjohem në ora 7:00 përgatitem për punë. Puna fillon në ora 8:00. Në këtë kompani kam tri vite që punoj dhe ndihem mirë. Respekti, mbështetja nga të gjithë aty nuk me mungon. Jam i lumtur me punën që e bëj. Pas orarit të punës dalim me shokë për të pirë kafe”, tregon Besniku.
Ai shton se ka ndjekur trendin normal të jetës, pa u vetfrenuar nga asgjë.
“Kam përfunduar shkollimin, jam angazhuar në punë dhe punoj veproj si të tjerët. Përkrahja, mbështetja nga familja kanë qenë maksimale”, thekson ai.
Motra e Besnikut, Sadija, e cila nga fillimi është kujdesur për të, tregon se e ka patur dhe si shok përveçse si vëlla.
“Dallimi mes kohës kur ka lind Besniku dhe kohës së tashme ka dallime shumë të mëdha. Paragjykimet kanë filluar të largohen. Por sfidat kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Në moshën 7-vjeçare e kemi regjistruar në shkollë, ku 8-vjeçaren e ka kryer në Prishtinë. Por çka pas? Për arsye së në Prishtinë nuk ka patur shkollë të mesme. Jemi detyruar ta dërgojmë në Prizren në Shkollën Profesionale ‘Lef Nosi’, aty ka përfunduar shkollimin e mesëm. Ka banuar në konvikt në kuadër të shkollës dhe në fundjavë ka ardhur vetë në familje ka qenë i pavarur”, tregon Sadija.
Më tej ajo tregon se pas shkollimit Besniku është punësuar dhe është i lumtur me punën që bën.
Por sa po bëjnë institucionet për këta persona?
Për këtë Sadija u shpreh: “Çdo herë e potencoj që dallimi mes kohës kur ka lind Besniku dhe tani ka përparim. Mirëpo, ka punë ende për t’u bërë. Është arritur një marrëveshje për gjithëpërfshirje nëpër kopshte prej moshës së vogël, në shkolla fillore që me pas trajtim normal. Por institucionet shtetërore duhet bërë më shumë në këtë drejtim”.
Ajo thotë edhe pse mund të jetë pak problem qasja ndaj tyre, kjo duhet të merret si normale dhe trajtimi duhet të jetë si me të gjithë të tjerët. /tesheshi.com/