Janë zhvilluar këtë pasdite pesë prej takimeve të javës së 24-t të kampionatit italian, teksa më herët, të premten, Napoli kishte fituar 2-0 ndaj Xhenovës, e mbrëmë Fiorentina kishte kaluar lehtësisht Udinezen me një fitore 3-0.
Edhe pse në fushë kundërshtare, Roma e kaloi me sukses pengesën e quajtur Krotone, duke u rikthyer në vend të dytë në klasifikim. Nainggolan dhe Dzeko qenë shënuesit e golave në fitoren 0-2 për romanët.
Me të njëjtin rezultat, 2-0, Interi mposhti Empolin në “Giuseppe Meazza”, duke u rikthyer te fitorja pas humbjes së diskutueshme një javë më parë ndaj Juventusit në Torino. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Veseli, u aktivizua gjatë gjithë lojës për miqtë, që e pësuan nga golat e Eder-it dhe Candreva-s.
Interi pozicionohet në vend të katërt, me golavarazh më të mirë se Atalanta, që po ashtu fitoi sot, 1-3, në fushën e Palermos.
Po në transfertë, po 1-3, fitoi dhe Kievo ndaj Sasuolos. Ndërkohë, ndeshja me më shumë gola qe ajo mes Torinos dhe Peskarës.
Ndaj një Peskare tanimë të nisur drejt Serisë B, Torino fitoi 5-3. Arlind Ajeti u aktivizua për të dytën ndeshje radhazi me torinezët, e madje u vu në qendër të vëmendjes për gjithçka që bëri, që nga goli i minutës së 9-të te autogoli i minutës së 73-të. /tesheshi.com/