Serbia do të hetojë pasojat e bombardimeve të kryera nga NATO në vitin 1999 dhe më pas do të ngrejë një padi kundër 19 vendeve anëtare të Aleancës që morën pjesë në operacionet gjatë luftës në Kosovë.
Radio Televizioni i Serbisë bëri të ditur se në hetim do të përfshihn profesionistë të fushës së mjekësisë si radiologë, epidemiologë dhe toksikologë, që do të analizojnë mostra nga ajri, uji, toka dhe produktet ushqimore, në zonat që u bombarduan nga NATO.
Autoritetet serbe pretendojnë se pranë zonave të bombarduara ka një ndotje të lartë radioaktive.
Në veçanti, Profesori Danica Grujiçiç, kreu i departamentit të neurokirurgjisë në Qendrën Klinike të Serbisë, ngriti çështjet e kancerit, sëmundjeve autoimune dhe infertilitetit.
“Në të kaluarën është vënë në dukje, në mënyrë të përsëritur, se toka ishte e ndotur në zonat e luftës që u bombarduan, edhe me substancë radioaktive. Ne po mbështesim publikun dhe do të ngremë një komision që do të verifikojë dhe hetojë çdo rast radioaktiv”, tha ministri i Mbrojtjes së Mjedisit, Goran Trivan, cituar nga Radio Televizioni i Serbisë.
Sipas këtij televizioni, pas bombardimeve të 1999-ës, ndotja radioaktive ishte evidentuar në zonat afër qyteteve serbe Bujanovc, Preshevë dhe Vranje në jug të vendit, pranë kufirit me Kosovën.
Komisioni do të kryejë një hetim ekonomik dhe ligjor dhe materialet e mbledhura do të shërbejnë si bazë për paraqitjen e padisë kundër 19 anëtarëve të NATO-s, që morën pjesë në operacion.
Lufta e Kosovës ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etnike (UÇK) dhe forcave të Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi në 1998-1999, përfundoi pas bombardimeve të NATO-s ndaj trupave të Jugosllavisë.
Operacionet zgjatën nga 24 marsi deri me 10 qershor 1999, ndërsa nuk dihet numri i saktë i viktimave
Operacioni ushtarak u krye pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bazuar në pohimet e vendeve perëndimore se forcat e Jugosllavisë po kryen spastrimin etnik në Kosovë, raporton media serbe. /tesheshi.com/