Serbia nuk ndalet në armatimin e saj të rëndë. Pas blerjes së Mig 29-ave nga Rusia, Beogradi ka firmosur edhe një tjetër kontratë me Bjellorusinë e Llukashenkos për blerjen e 6 avionëve të rinj bombardues dhe 4 sisteme raketore S300.
Këto armatime janë të prodhimit rus, dhe siç bën të ditur e përditshmja serbe Alo, ceremonia e blerjes do të zhvillohet në kryeqytetin bjellorus Minsk, ndërmjet presidentëve respektivë, Aleksandër Vuçiç dhe Aleksandër Llukashenko.
Sipas Alo-s, pas këtyre blerjeve ushtria serbe bëhet më e fuqishmja në rajon dhe konkuron edhe me Greqinë.
E përditshmja serbe thekson se Minsk-u do t’ja shesë armët Beogradit me çmime poshtë tregut dhe për këtë ka marrë edhe autorizimin nga Moska, e cila ja ka dhuruar armët Bjellorusisë.
Ky transaksion ka hapur debate në mediat serbe dhe për këtë, deputeti liberal i opozitës, Çedomir Jovanoviç ka kërkuar interpelancë me Ministrin e Mbrojtjes.
Jovanoviç ka deklaruar se ky operacion duket i “çuditshëm thjesht për të fshehur një transaksion ku fshihet Rusia, që synon të mbajë një influencë konfiltuale në rajon”. /tesheshi.com/