Shpallja e aksionit ndërkombëtar për “peshqit e mëdhenj” (do ishte më e saktë të quheshin dhe “peshkaqenë”, mu prej egërsisë që shfaqin, sesa “peshq të mëdhenj” gjersa ka të tillë edhe të butë e plot shije në të ngrënë), dje ishte vetëm deklamimi zyrtar i një eventi anti-krim që në fakt ka nisur prej kohësh.
Ardhja e një numri të madh oficerësh të FBI-së, DEA-s amerikane, NCA-së britanike, Bundeskriminalamt-it gjerman dhe Guardia Di Finanza-s italiane, e ka kthyer Shqipërinë në një shtab të madh ndërkombëtar anti-krim që fillesat e saj i ka në shtatorin e vitit 2016, kur në të gjithë vendet e Europës u ndërmorr një superoperacion nga Europol, me kapjen e mbi 30 kapove shqiptarë të grupeve më të rëndësishme të trafiqeve të drogës. Në këtë aksion ishte partnere edhe DEA amerikane.
Një pjesë e baronëve shqiptarë të narkotikëve u kthyen në bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe rrëfyen se ata ishin vetëm punonjës me mëditje dhe se koka e vërtetë e krimit të organizuar ndodhet në Tiranë.
Kjo situatë solli atëherë në Tiranë një grup paraprak rikonjicioni të disa oficerëve ndërkombëtarë, të cilët tentuan që të shikonin nëse ka bazë për operacionin. Oficerët europianë sollën disa dosje të vogla për të arrestuar bashkëpunëtorët e baronëve të kapur. Por në atë kohë asnjë hetim nuk u hap, madje u tentua të kërkoheshin detaje nga rrëfimet e krerëve të bandave.
Ndërkohë, në disa qytete europiane kishin shkuar disa nga oficerët shqiptarë të policisë për të koordinuar dhe ndihmuar me kordinatat e lidhjeve të grupeve mafioze shqiptare. DEA arriti madje të hynte brenda edhe disa celulave të frikshme shqiptare të trafikimit të kokainës, duke nisur nga Habilajt, por edhe grupi i madh i Holandës, anëtari i së cilit, Ilir Hidri u ekzekutua në Ekuador në verën që sapo lamë pas.
Policia italiane ka arritur që të futet brenda disa nga bandave më të fuqishme shqiptare të trafikimit të drogës, të cilëve u janë gjetur lidhjet e forta me “peshkaqenët”. Artur Mahmutaj për shembull, u arrestua vetëm dy ditë më parë nga policia italiane në Genova, por grupi i tij kriminal ishte në skaner dhe përgjim prej kohësh dhe gjithçka dihej në mënyrë perfekte. Ish-nëndrejtori i hekurudhave, i emëruar nga një parti sot në opozitë, Mahmutaj është pjesë e një grupi që sillte kokainë me kontenier nga Amerika Latine. Vetëm herën e fundit atij ju kapën rreth 80 kilogram kokainë, e cila në treg e ka koston gati 80 mijë dollarëve amerikanë.
Lirimi i tij nga burgu një vit më parë në Shqipëri ku u arrestua për trafikimi hashashi dhe ikja në Itali ku rinisi aktivitetin me drogat e rënda, është kryer nën vëzhgimin e ngushtë të Guardia di Finanza-s dhe policisë kriminale italiane. Madje mësohet se vetë Mahmutaj ka folur…
Të gjitha këto dosje që janë në duart e policive amerikane dhe europiane janë sjellë në Tiranë dhe administrohen nga Task-Forca ndërkombëtare që është ngritur prej një muaji, por u shpall vetëm dje. Dy oficerët e lartë të FBI-së, Mark Newhouse dhe Jack Liao do të jenë krerët e grupit operativ. Thuajse çdo operacion do të hartohet, planifikohet dhe lançohet nga ndërkombëtarët. Policia shqiptare do të jetë vetëm zbatuesja në terren. Të dhënat do të shpërndahen vetëm një drejtuesi të lartë të Policisë shqiptare, i cili do të urdhërojë trupat e RENEA-s, apo forcat speciale që të futen në aksion vetëm në momentet e fundit.
Agjenti i FBI-së, Mark Newhouse është një nga oficerët më të mirë të Byrosë Federale të Hetimit në SHBA për çështjen e fshehjes dhe qarkullimit të parave, ndërsa Jack Liao është kreu i FBI-së për të gjithë Europën Juglindore dhe ka qenë për një kohë të gjatë si shef i zyrës së Sofjes. Ai di gjithçka mbi krimin dhe lidhjet e tij në Ballkan. Liao ka prej dy vjetësh që vjen vazhdimisht në Tiranë dhe ka lidhur një urë me policinë shqiptare, për ta testuar pikërisht nëse do të jetë partner i besueshëm në superoperacionin që sapo ka nisur.
Po cili do të jetë realisht superoperacioni? Kapja dhe arrestimi i kokave të trafikut të drogës, që janë vërtetuar nëpërmjet rrëfimeve të “të penduarve” në Europë, si dhe zbulimi i parave dhe aseteve të tyre në Shqipëri. Pikërisht kur të bëhet rreshtimi i të gjitha provave dhe dokumentimi i rrëfimit të “kolonelëve” të mafias shqiptare, atëherë e kanë radhën të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”.
Pse është lënë janari apo shkurti?
Pikërisht sepse ky operacion duhet kryer kur të jetë larguar Adriatik Llalla nga posti i Kryprokurorit dhe kur në vend të tij të jetë zgjedhur i riu, ndërkohë që kryeprokurori i SPAK-ut të ketë marrë fuqitë e tij ekzekutive. Nëse ndërkombëtarët do të kishin besim tek Prokurori i Përgjithshëm në fuqi, atëherë nuk do të flitej për fillim të 2018-s, por që sot menuja e drekës mund të ishte me peshk… /tesheshi.com/