Kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ka folur për një radio gjermane këtë fundjavë, – teksa grekët u janë drejtuar kutive të votimit në referendumin përcaktuar për qëndrimin ose jo të Greqisë në Eurozonë dhe për financat vendase, – duke u shprehur se Greqia do të duhet të hedhë në treg një tjetër monedhë, nëse vota ‘Jo’ triumfon këtë fundjavë.
“A do të jetë sërish Greqia në zonën e monedhës së përbashkët europiane pas këtij referendumi? Pikërisht kjo është çështja, por nëse populli grek i thotë ‘Jo’ marrëveshjes ndihma financiare kundrejt reformave, atëherë ata do të duhet të hedhin në treg një tjetër monedhë pas referendumit, sepse euroja nuk do të jetë e disponueshme për ta si mjet pagese”, Schulz.
Intervista e Schulzit është regjistruar që nga e enjtja e kaluar dhe është transmetuar këtë të dielë në radion “Deutschlandfunk”, ndoshta edhe për të mos ndikuar në votat e grekëve.
“Në momentin kur dikush prezanton një monedhë të re, automatikisht ai vend del nga Eurozona. Këto janë elementët që më japin shpresë, se grekët nuk do të votojnë ‘Jo’ në këtë referendum”. Komentet e kreut të PE-së janë thuajse më të qartat dhe më të drejtpërdrejtat e deritanishme të bëra nga ndonjë zyrtar i lartë i BE-së.
Ndërkohë, në një tjetër reagim, Banka Qendrore Europiane duket se është e gatshme të ndërmarrë masa të tjera shtesë, nëse situata do ta kërkojë një ndërhyrje të saj, siç bën të ditur anëtari i bordit ekzekutiv të BQE-së, Benoit Coeure.
“Në rrethanat aktuale të një paqartësie të madhe në Europë dhe në botë, BQE-ja ka qenë e qartë se, nëse do të duhet të bëjë më shumë, do ta bëjë këtë pa hezitim. Do të gjejmë të gjitha instrumentet e nevojshme për ta realizuar këtë objektiv”, tha Coeure në një konferencë ekonomike në rajonin jugor të Francës, Aix-en-Provence. “Dëshira jonë për të vepruar është një çështje e padiskutueshme dhe nuk duhet vënë në dyshim”, shtoi ai.