Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij dhe se vendet e këtij rajoni duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm drejt një të ardhmeje të përbashkët.
Në hapjen e samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur në Berlin, ai tha se të gjithë e dimë se sa shumë rajoni i Ballkanit Perëndimor është ende i formësuar nga konfliktet e së kaluarës dhe se është koha për t’i kapërcyer ato dhe për t’u kthyer drejt së ardhmes.
“Prandaj dua t’u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina: mos lejoni që e kaluara t’ju kthejë prapa nga rruga drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë mbetem i bindur se ajo e ardhme është në BE dhe se ka vetëm një mënyrë për të arritur atje – zbatimi i plotë i marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe mjeteve paqësore. Kjo është ajo që përfaqëson Procesi i Berlinit”, tha Scholz.
Zhbllokimi i CEFT
Njëkohësisht, ai vlerësoi zhbllokimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë nga CEFT, sepse, tha ai, mundëson aktivizimin e disa marrëveshjeve të tjera, si marrëveshjet për lejet e punës dhe rrugët e tregtisë elektronike.
“Zbllokimi i marrëveshjes CEFT nuk është i vetmi vendim që po marrim sot. Do të nënshkruajmë gjithashtu dy dokumente që do t’ua bëjnë jetën e përditshme më të lehtë njerëzve: i pari, një plan i ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal, një dokument themelor për thellimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik. Duke mbuluar aspektet sociale dhe të punës të bashkëpunimit dhe lëvizshmërisë, kjo do ta bëjë punën ndërkufitare më pak të komplikuar dhe do t’ju sjellë dukshëm më afër standardit të BE-së”, tha Scholz.
Ai theksoi se ministrat e Jashtëm, të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Mbrojtjes së mjedisit të vendeve anëtare të BE-së, së bashku me kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të shoqërisë civile, shkencëtarë, deputetë, janë duke punuar për çështje të rëndësishme për qytetarët, nga kontrolli i kufijve dhe menaxhimi i migracionit te transformimi i gjelbër, bashkëpunimi ekonomik dhe barazia gjinore, me qëllim përshpejtimin e integrimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne po punojmë së bashku për të gjetur një kompromis për të mirën e të gjithëve. Faleminderit për kontributin tuaj në këtë. Procesi i Berlinit është një histori suksesi. Le t’i shtojmë kapituj të rinj kësaj historie derisa e ardhmja evropiane për qytetarët dhe vendet tuaja të bëhet realitet”, përfundoi ai. /tesheshi.com/