Nga Bashkim Kastrati
Në vitet e fundit në Kosovë është hapur një debat identitar në lidhje me krijimin e një identiteti të ri kosovar dhe kombit kosovar. Pranimi i përfaqësues së Kosovës në UEFA dhe FIF A e ka nxitur ende këtë debat kontraveres, të cilit po i fryjnë disa opinionistë nga Kosova dhe Shqipëria. Në Kosovë ka një tendencë të disa individëve që për qëllime të caktuara dëshirojnë që në aktivitete sportive të zhvishen nga çdo gjë që është shqiptare, duke promovuar idenë e identitetit të ri dhe kombit kosovar. Kjo tendencë shkoi aq larg sa në Mitrovicë, gjatë një ndeshje të basketbollit ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës, dikush urdhëroi Policinë e Kosovës që të heqë banderolën “O sa mirë me qenë shqiptar!”, një veprim ky sa i çuditshëm aq dhe skandaloz, pasi dhe Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin e Kosovës si shumëetnik që është i shqiptarëve dhe i komuniteteve tjera. Prandaj ideja për t’u zhveshur nga identitetit shqiptar dhe për t’u dukur kosovar paraqet një tendencë të rrezikshme.
Por kjo ide apo tendencë njëkohësisht, kundërshtohet nga një pjesë e madhe e intelektualëve dhe e shoqërisë. Ky grup konsideron se ka një komb shqiptar në Ballkan dhe shqiptarët i përkasin këtij kombi, ani pse ka organizime të ndryshme politike.
Në lidhje me këtë debat ka reaguar edhe profesori Milazim Krasniqi. Ai thotë se idetë për komb të ri janë tendencioze dhe të rrezikshme.
“Injorimi i shtetit të Kosovës është taktikë dhe politikë serbe. Edhe simulimi i “kombit kosovar” poashtu është politikë dhe taktikë serbe. Duken kontradiktore por nuk janë: të dyjat e kanë për qëllim dobësimin e kombit shqiptar në Ballkan përkatësisht pengimin e bashkimit të Kosovës e Shqipërisë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shkruar edhe në lidhje me debutimin e përfaqësues së Kosovës në ndeshje zyrtare në eliminatorët e Botërorit Rusia 2018.
“Sonte e kemi premierën e realitetit të ri që kemi, si një komb unik me dy shtete. Dy ekipet tona të futbollit luajnë sonte në të njëjtin termin. Për fillim do të jetë e sikletshme, por edhe shumë frymëzuese. Duhet të mësohemi. Ashtu siç jemi mësuar të jemi komb me dy fe. Siç jemi mësuar të kemi simbol shqiponjen me dy koka. Bile, ky është rast që ta rifillojmë projektin e bashkimit, kësaj here jo si pjesë të krizave rajonale, po si dy shtete të suksesshme. Si fitimtarë”, ka theksuar Krasniqi.
Gjithashtu, edhe profesori i sociologjisë Fadil Maloku ka reaguar me një shkrim shkencor të detajuar për këtë çështje. Ai thotë se etnicitetet, grupet etnike dhe identitetet etnike (si në nivele organizativ si sub-bashkësi ashtu edhe në nivele të identitetit kolektiv si sub-etni) kanë një aftësi çuditshme si të themi të mbijetesës dhe të transformimit edhe në kohërat e sodit. Sipas tij, shembull më të mirë për këtë proces se Amerikën, sot për sot nuk kemi.
“Kur të shikojmë procesin e zhvillimit të shqiptarëve të Kosovës në këto njëqind vitet e fundit (pra pas aneksimit që i bëhet nga ana e Serbisë në vitin 1912), si identitet i ndarë ku rrebeshi i ndikimeve dhe ndërvarësisë ishte evident gjatë tërë kësaj periudhe, kuptojmë që ky proces i ndikimit (më shumë!) dhe i marrjes (më pak!) është në të vërtetë pak a shumë dashtë e pa dashtë ne tani një proces i një natyre me pretendime dalluese. Por jo edhe aq sa tani (nëse i adresohemi botëkuptimit të sotëm perëndimor mbi kombin) të fillojmë procesin e promovimit të kombeve të reja (!?), ashtu siç po trumbeton dikush për interesa të pa identifikuara akoma. Në anën tjetër, meqë po i adresohemi dioptrisë shkencore sociologjike lidhur me këtë problematikë shtrohen disa pyetje kujtojë shumë të rëndësishme lidhur me këtë proces të dhënie marrjes shekullore, pastaj diskursin e ushtrimit të ndërvarësisë si edhe procesin e amalgimit kulturor? Përgjigja në të gjitha këto pyetje është një JO e madhe?!”, thotë profesori Maloku.
Ai konsideron se duhet vënë edhe një distingsion shkencor në mes asaj që shquhet si etni dhe asaj që shquhet si komb, në mënyrë që të mos krijojmë stereotipin e paqenë për njërin apo tjetrin koncept sot.
“Duke u nisur kështu nga këto paradispozitat elementare shkencore sociologjike ne më lehtë e kemi diagnostifikimin e identitetit dhe paradigmave rreth tij, që sot djallëzisht keq përdoren nga jokompetentët për qëllime personale, grupore e klanore. Është e ditur që njerëzit janë krijuar prej një burri dhe një gruaje dhe ndarjet në fise dhe popuj janë rezultat i parallogarive të ndasisë në njerëz të devotshëm dhe këqinj”, ka deklaruar Maloku.
Tendencë për të krijuar një komb artificial
Publicisti Faik Krasniqi ka thënë për tesheshi.com se ky është realiteti që kemi dy shtete shqiptare, edhe pse shumica e shqiptarëve do të donim ta kishim një Shqipëri të Bashkuar.
“Kjo është dëshirë edhe imja, familjes time dhe paraardhësve të mi. E sa i përket një kombëtare dhe një lige të përbashkët, është çështje që mund të rregullohet mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse janë dy shtete sovrane shqiptare dhe është dëshirë e gjithë shqiptarëve që ta kemi një kombëtare, e jo dy të tilla. Por, është ofenduese dhe hipokrizi tendenca e një grushti njerëzish, të cilët mundohen me çdo kush t’ua imponojnë shumicës krijimin e një kombi artificial, kombin ”kosovar”, thotë Krasniqi.
Ai thotë se Kosova është shteti ynë dhe duhet ta respektojmë edhe përfaqësuesen e Kosovës në futboll dhe sportet tjera, po ashtu edhe simbolet bashkë me shtetin, por jo ta durojmë edhe idiotizmin e pushtetarëve dhe disa qyqarëve, që qytetarët e Kosovës të zhvishen nga çdo gjë që simbolizon shqiptarizëm.
“Këtë poshtërim dhe përçarje shqiptarët e Kosovës nuk do ta durojnë kurrë, pavarësisht tendencës së pushtetarëve dhe disa analistëve”, theksoi Krasniqi. /tesheshi.com/