Policia Rrugore apeloi sërish për respektim të normave të shpejtësisë së automjeteve nëpër rrugë ndër apo brendaqytetase. Duke iu referuar aksit problematik Sauk-TEG, unazë e Tiranë, aty ku drejtues të ndryshëm e trajtojnë rrugën si pistë shpejtësie, policia tha se ka regjistruar deri dhe rastin e 198 km/h, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h.
“Edhe pse kontrollet me radar dhe alkooltestues, janë shumëfishuar jo vetëm në Tiranë por në gjithë rrugët urbane dhe ato interurbane te Shqipërisë, pavarësisht se në fundjavë kontrollet janë edhe me te përqendruara, fushatat sensibilizuese gjithashtu më të shumta, përsëri ka akoma shumë drejtues mjetesh qe abuzojnë duke përdorur mjetin në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugore, si ‘vrasës’ të sigurisë në rrugë”, thuhet në një deklaratë të fundit.
Pasi thuhet se janë hequr disa leje drejtimi, si dhe janë prangosur dy drejtues për gjendje nën alkool, Policia Rrugore thotë se “apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve, mos abuzoni me shpejtësinë dhe alkoolin në timon, kujdesuni për jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”.
“Të fluturosh në rrugë gati me 200 km/h apo në gjendje të dehur, ke cenuar rëndë sigurinë e jetës në rrugë. Policia Rrugore me radarë e dragera është prezente kudo, jo për të shtuar numrin e gjobave por për të parandaluar kërcënimin e jetës në rrugë nga këta drejtues mjetësh që abuzojnë me rregullin dhe normat e sjelljes në rrugë”, thuhet në deklaratë. /tesheshi.com/